Rama merr meritat: Transformimi i Tiranës nuk mund të bëhej pa mua dhe lali Erin
Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij në sheshin “Skënderbej” para punonjësve të Bashkisë Tiranë, deklaroi se transformimi kolosal i kryeqytetit nuk mund të ndodhte kurrë pa të dhe Erion Veliaj.
“Askush dhe asgjë, asnjë buf dhe asnjë specie tjetër e kënetës politike dhe mediatike të këtij vendi nuk e mbulon me shishen e blozës diellin e transformimit kolosal dhe historik të Tiranës sonë. Pa mua që e nxora nga koma nën rrënoja, e pastrova nga llumi dhe e ngrita në këmbë me mbështetjen e pakursyer të popullit të Tiranës dhe Partisë Socialiste, dhe pa lali Erin që e bëri të vrapojë dhe të kthehet në një destinacion turistik, me mbështetjen e të gjithëve ne, ky qytet nuk do ishte kurrë vendi ku shëtisin që të gjithë, opozita, prokurorë, gjykatës, analistë, qytetarë, gazetarë. Dhe shkojnë e vijnë në punën e tyre duke i çuar fëmijët në çerdhe, shkolla që nuk i lënë asgjë mangët shkollave të Bashkimit Europian”, tha kryeministri.
