Balluku: Prodhimet e Myzeqesë shkojnë në çdo cep të Evropës
Prodhimet bujqësore po ndjekin trendin e rritjes pozitive të eksportit, por produktet që po kryesojnë në këtë sezon janë perimet dimërore.
Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ndau në rrjetet sociale momente pune nga një qendër grumbullimi të prodhimeve bujqësore në Myzeqe, ku shihen arka të tëra të mbushura me lakra që po ambalazhohen për eksport.
“Prodhimet e duarartëve të Myzeqesë shkojnë në çdo cep të Evropës”, shkroi Balluku. Myzeqeja është një ndër rajonet kryesore të vendit me potencial të lartë për prodhimin bujqësor.
Falë punës kolosale të bërë në gjithë këto vite për rehabilitimin e sistemit kullues e vaditës, në zonën e Myzeqesë ka më shumë kanale të riaktivizuara, më shumë toka të ujitura dhe më shumë prodhime cilësore.
Ndërsa, përveç investimeve në bujqësi, skema e naftës falas dhe masat e mbështetjes për fermerët, i kanë dhënë mundësi fermerëve të ulin kostot e prodhimit dhe të rrisin përdorimin e mekanizimit duke rritur cilësinë e produkteve që sot eksportohen në mbi 85 tregje ndërkombëtare.
Sektori i bujqësisë është ndër sektorët me kontributin më të madh në Prodhimin e Brendshëm Bruto, rreth 20%. Teksa harta e produkteve tradicionale zgjerohet paralelisht me kërkesën e tregjeve të huaja për produktet “Made in Albania”.
