Rama rreshton punonjësit e Bashkisë: Gabuat që protestuat për Veliajn te SPAK, mos e bëni më!

Ka nisur në Sheshin “Skënderbej”, takimi i kryeministrit Edi Rama me punonjësit e Bashkisë së Tiranës.

Rama u shpreh se ishte një gabim i pafajshëm, që nuk duhet të përsëritet më, protesta para gjykatës speciale, kur u zhvillua seanca për vlefshmërinë e masës ‘arrest në burg”, për kryebashkiakun Erion Veliaj.

Sipas kreut të qeverisë, Veliaj mbahet në burg pa gjyq dhe i është ndërprerë kontrata me qytetarët e Tiranës.

“Të dashur punonjës të Bashkisë Tiranë, e kërkova këtë mbledhje me të gjithë ju sepse gjatë këtyre ditëve kam parë mes jush, por edhe mes shumë të tjerësh, nujerëz të prekur, lënduar, zhgënjyer, të dëshpëruar. Disa prej jush shkuat te dera e gjykatës speciale për të protestuar, ditën kur kryetari u bashkisë u la në burg pa gjyq. Nuk dua t’ju gjykoj keq, e mirëkuptoj emocionin e tyre, por ishte gabim sado i pafajshëm, nuk duhet të përsëritet më, as nga ju, as nga kushdo që punon në institucionin shqiptar. Unë nuk mendoj ndryshe sa i takon ndërprerjes pa gjyq të kontratës me qytetarët e kryeqytetit, i cili mbahet sonte në burg, me statusin e të dyshuarit, por ende jo me atë të pandehurit, e lë më atë të fajtorit”, theksoi ai.

Rama rreshton punonjësit e Bashkisë: Gabuat që protestuat

Kryeministri Edi Rama u shpreh sot nga “Sheshi Skënderbej” se ashtu siç transformuan Tiranën në 25 vite, po transformojnë dhe reformojnë Drejtësinë në Shqipëri.

“Secili nga ju përfaqëson një skuadër të madhe që nuk duhet të shfaqet në territorin e një pushteti të pavarur si pushteti i drejtësisë. Unë nuk mendoj ndryshe nga ju këtu për ndërprerjen e kontratës së kryeqytetit të bashkisë me qytetarët e kryeqytetit, i cili mbahet sot në burg dhe kjo kambanë duhet të bjerë për ata që duhet të dëgjojnë. Me statusin e të dyshuarit e jo më me të pandehurit dhe lërë pastaj për të fajtorit. E papajtueshme logjikisht dhe e papajtueshme për çerek milioni qytetarë që e kanë zgjedhur kryetarin e bashkisë që të rrijë në zyrë dhe jo të mbyllet brenda qelisë", tha ai.

Dhe më tej këmbënguli te reforma në drejtësi dhe transformimi që është në proces.

"Ashtu siç e transformuam Tiranën nga një ferr në qytet evropian me vizion kurajo dhe mundime të mëdha, ashtu kemi vendosur të transformojmë edhe drejtësinë në Shqipëri. Ashtu siç shembëm ato ngrehina të shëmtuara që kishin varrosur parqet me ujëra të zeza, ashtu kemi shembur edhe arkitekturën e vjetër të Drejtësisë dhe me Vetingun e kemi pastruar pjesën e vjetër të kalbur të drejtësisë dhe nga ata që trashëguam Tiranën e 25 viteve më parë”, theksoi kryeministri.