BE: Ukraina është një demokraci, Rusia e Putinit jo

Ukraina është një demokraci, Rusia e Putinit nuk është, tha sot një zëdhënës i Bashkimit Evropian, pasi Donald Trump e quajti Volodymyr Zelensky një “diktator”.

”Zelensky u zgjodh në mënyrë legjitime në zgjedhje të lira, të ndershme dhe demokratike”, shtoi zëdhënësi i Komisionit Evropian, Stefan De Keersmaecker në një konferencë për shtyp.

”Nuk mund të ketë zgjidhje për Ukrainën pa angazhimin e Ukrainës, as pa angazhimin e Bashkimit Evropian”, shtoi ai, duke iu referuar negociatave SHBA-Rusi për zgjidhjen e konfliktit.

Në shenjë solidariteti me Ukrainën, të hënën, në përvjetorin e tretë të pushtimit rus të vendit më 24 shkurt 2022, Antonio Costa, president i Këshillit Evropian, njoftoi në X se do të shkonte në Kiev të hënën.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen kishte njoftuar tashmë këtë javë se ajo do të udhëtonte në Ukrainë të hënën me të gjithë kolegjin e komisionerëve evropianë.

Pasi e quajti Zelenskyn një “diktator pa zgjedhje”, presidenti amerikan vazhdoi retorikën e tij në favor të Moskës duke deklaruar të mërkurën në mbrëmje se, në këtë konflikt, rusët kishin “kartat në dorë” pasi “kishin marrë shumë territor”.

Kremlini, duke mos fshehur kënaqësinë e tij, njoftoi të enjten se kishte vendosur me Uashingtonin të rifillonte dialogun “për të gjitha parametrat”, duke thënë se ishte “në pajtim të plotë” me qëndrimin amerikan për Ukrainën.