Indi/ Përfundon operacioni 44-ditor, gjenden trupat e minatorëve të bllokuar në Assam
Ekipet e shpëtimit në Indi kanë përfunduar një operacion kërkimi 44-ditor pasi gjetën trupat e pesë minatorëve të bllokuar në një minierë të përmbytur në shtetin verilindor të Assam.
Zyrtarët njoftuan se trupat janë në gjendje të dekompozuar dhe do t’i nënshtrohen testeve të ADN-së për identifikim.
Familjet e viktimave janë thirrur për të ndihmuar në procesin e identifikimit dhe pritet të marrin kompensim nga qeveria.
Aksidenti ndodhi më 6 janar, kur nëntë minatorë mbetën të bllokuar në një minierë të tipit “gropa e miut”, një metodë ilegale e nxjerrjes së qymyrit.
Katër trupa u gjetën brenda javës së parë, ndërsa kërkimet vazhduan deri të mërkurën, kur u gjetën trupat e fundit.
Operacionet e shpëtimit u zhvilluan nga forcat speciale të fatkeqësive, Ushtria dhe Marina Indiane, si dhe policia dhe autoritetet vendore, përmes zhytësve dhe helikopterëve, pavarësisht sfidave të terrenit kodrinor.
Ky aksident ka rikthyer vëmendjen te minierat ilegale në Indi, të cilat, pavarësisht ndalimit zyrtar në vitin 2014, vazhdojnë të funksionojnë në disa rajone verilindore.
Policia e Assam ka njoftuar se ka nisur një hetim mbi aktivitetet e paligjshme të minierave në këtë zonë.
