Abbas: Palestina nuk është në shitje

Presidenti palestinez, Mahmoud Abbas, ka ripohuar se vendi i tij “nuk është në shitje” dhe ka refuzuar çdo thirrje për zhvendosjen e popullit palestinez.

Siç raporton agjencia zyrtare palestineze e lajmeve Wafa, kjo vjen gjatë fjalimit hapës të një takimi të Komitetit Qendror të Fatahut në Ramallah në Bregun Perëndimor qendror.

Duke folur për pjesëmarrjen e tij në Samitin e Unionit Afrikan në Adis Abeba, i cili përfundoi të shtunën, Abbas tha se ai rikonfirmoi qëndrimin e vendosur të Palestinës kundër çdo përpjekjeje për të zhvendosur popullin palestinez.

“Palestina nuk është në shitje”, theksoi Abbas, duke përsëritur “qëndrimin e fortë palestinez se nga asnjë pjesë e territorit të saj, duke përfshirë Gazën, Bregun Perëndimor ose Jeruzalemin Lindor nuk do të hiqet dorë”.

Abbas theksoi “rëndësinë e respektimit të legjitimitetit ndërkombëtar dhe Iniciativës Arabe të Paqes si bazë për çdo zgjidhje politike të çështjes palestineze”.

Miratuar në Samitin e Ligës Arabe të vitit 2002 në Bejrut, Iniciativa Arabe e Paqes bën thirrje për krijimin e një shteti të njohur palestinez brenda kufijve të vitit 1967, me Jeruzalemin Lindor si kryeqytet, në këmbim të njohjes së Izraelit nga shtetet arabe dhe normalizimit të marrëdhënieve.

Abbas përshëndeti deklaratat e presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohammed bin Zayed, i cili gjatë takimit të tij me sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, ku ai ripohoi refuzimin e vendosur të vendit të tij ndaj çdo përpjekje për të zhvendosur popullin palestinez.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, në mënyrë të përsëritur ka sugjeruar se ai do të “marrë në dorë” Gazën dhe do të zhvendosë popullsinë e saj për të rizhvilluar enklavën në atë që ai e quajti “Rivierë të Lindjes së Mesme”.

Ideja është hedhur poshtë me forcë nga bota arabe dhe kombe të tjera, të cilët thanë se kjo përbën spastrim etnik.