Sri Lanka/ Treni del nga shinat pasi godet tufën e elefantëve

Një tren pasagjerësh doli nga shinat në orët e para të mëngjesit të së enjtes, pasi goditi një tufë elefantësh pranë një rezervati të kafshëve të egra në Habarana, Sri Lanka qendrore.

Fatmirësisht, asnjë nga pasagjerët nuk u lëndua, por gjashtë elefantë humbën jetën nga përplasja, ndërsa dy të tjerë po marrin trajtim për plagët e pësuara, raportoi policia.

Ky konsiderohet aksidenti më i rëndë i këtij lloji në vend, sipas agjencisë AFP.

Sri Lanka është një nga vendet me përplasjet më të shpeshta mes trenave dhe elefantëve, të cilat shpesh rezultojnë fatale për të dyja palët.

Vetëm vitin e kaluar, më shumë se 170 njerëz dhe rreth 500 elefantë u vranë në incidente të tilla.

Ekspertët fajësojnë shpyllëzimin dhe tkurrjen e habitateve natyrore si arsyet kryesore që i shtyjnë elefantët të hyjnë në zonat e aktivitetit njerëzor, duke u bërë më të ekspozuar ndaj rreziqeve.

Sipas mediave lokale, çdo vit trenat vrasin rreth 20 elefantë në Sri Lanka.

Autoritetet kanë propozuar masa për të parandaluar këto tragjedi, si ulja e shpejtësisë së trenave dhe sinjalizimi me borinë për të paralajmëruar tufat e elefantëve që kalojnë shinat.

Megjithatë, raste të ngjashme kanë ndodhur edhe më parë, duke përfshirë një aksident të vitit 2018 në të njëjtën zonë, ku një elefant shtatzënë dhe dy të vegjlit e saj humbën jetën.

Sri Lanka ka rreth 7,000 elefantë të egër, të cilët gëzojnë mbrojtje ligjore. Vrasja e një elefanti është një vepër penale e dënueshme me burg ose gjobë.