Dumani: Shkuam tek dhëndri i Gon Dukës të vidhnim 500 mijë euro, por morëm vetëm 3 mijë € kursimet e fëmijëve

Mes shumë grabitjeve të kryera nga grupi i Nuredin Dumanit në Elbasan, Kavajë, Lushnjë, Berat, Durrës, në seancën e sotme Dumani tregoi një grabitje që ai dhe shokët e tij u nisën për të marrë 500 mijë euro, por përfunduan në vjedhjen e një kutie të vogël që ishin kursimet e fëmijëve të shtëpisë.

Dumani këto deklarime i bërë para gjykatës së posaçme, e cila vendosi ti hapë dyert për median dhe publikun, pas kërkesave të vazhdueshme të avokatëve.

Në seancën e sotme radhën e pyetjes e kishte avokati i të pandehurit Gentian Sharra, z. Sokol Hazizi, i cili ju adresua me disa pyetje direkt Dumanit lidhur me grabitjen e një kambisti në Elbasan, vendndodhjen e shtëpisë së Talo Çelës dhe disa episode të tjera.

Dumani, u përgjigj se Gentian Sharën e kishte njohur përmes Talo Çelës.

Ndërsa tregoi dhe një moment se si së bashku me Talon, Gent Sharën, Gon Qafën dhe Dorjan Shkozën, kishin shkuar për të grabitur shtëpinë e dhëndrit të Agron Dukës në Shijak, por që në fakt prej andej kishin arritur të merrnin vetëm kursimet e fëmijëve të mitur.

Në rrëfimin që u shoqërua me shumë ilaritet në sallë dhe kërcënime mes bashkëpunëtorit të drejtësisë dhe avokatëve mbrojtës, Dumani sqaroi se:

“...një grabitje tjetër e kemi bërë në vitin 2013 në Shijak, ku kemi qenë 5 veta, unë, Talo Çela, Gent Sharra, Gon Qafa dhe personi me pseudonimin “....”. Informacionin për grabitjen na e dha Dorjan Shkoza pasi familja e tij jetonte një kat më poshtë personit që do bënim grabitjen. Dori, na thoshte se personi që jetonte mbi banesën e tij merrej me pulari. Informacionin e kishte motra e Dorit, e cila kishte hyrje-dalje me të zonjën e shtëpisë, e cila i kishte thënë se në dollapë kishte mbi 500.000 Euro. Tek kjo shtëpia ishin dy çuna të vegjël 10 vjeç, zonja e shtëpisë dhe vjehrra.

Në këtë ngjarje kemi përdorur një mjet “Benz ML” ngjyrë blu e errët, e rregullt me targa të vjedhura. Ky mjet ishte në emrin tim. Kemi shkuar në orën 4 të mëngjesit sepse në atë orë dilte i zoti i shtëpisë. Dera ishte e blinduar dhe Talo e hapi atë 3 apo 5 minuta pasi kishte me vete veglat që hapte dyert. Pasi u hap dera u futëm brenda të gjithë vetëm Gon Qafa ngeli jashtë me automatik në dorë. Sapo kemi hyrë brenda kemi parë plakën që po dilte nga tualeti. Plakën e mbylli Talo në tualet dhe filloi të shante. Unë pas kemi shkuar tek dhoma e gjumit dhe kemi gjetur gruan me dy fëmijët.

Njëri godet me grusht gruan. Unë e kapa gruan që të mos vazhdonte të gjuante. Ata vazhduan kontrollin dhe unë kam ndenjur aty që të mos bërtiste gruaja dhe fëmijët. Me erdhi keq për fëmijët e saj dhe i ledhatova nga faqet. Kur kjo gruaja doli në televizor ka thënë se njëri prej autorëve u soll mirë. Në një kuti kursimesh janë gjetur rreth 3000 Euro dhe jemi larguar. Këto lekë i morri personi që e thërrisnim me nofkën..... Më vonë mora vesh se njeri prej çunave që morri pjesë në grabitje kishte marrë dhe unazat e kësaj zonjës. Informacionet ishin që në këtë shtëpi ishte dhëndri i shtetasit, Agron Duka...”.