Atentati ndaj biznesmenit Nikulaj/ Portugezi Saraiva dërgohet për gjykim

Pas mbylljes së hetimeve dhe komunikimit të akuzës në fund të vitit që lamë pas, dosja penale në ngarkim të portugezit Ruben Saraiva, i marrë i pandehur për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj, është dërguar për gjykim në Gjykatën e Lezhës.

Dosja është e veçuar nga pesë personat e tjerë, të cilët nuk janë ekstraduar ende nga Britania e Madhe.

Çështja do të shqyrtohet nga gjyqtari Renis Sheshi dhe me 26 shkurt është caktuar që të zhvillohet seanca e parë paraprake gjyqësore.

Ndaj 30-vjeçarit portugez, prokuroria e Lezhës ka ngritur akuzat "Vrasja për gjakmarrje" e kryer në bashkëpunim dhe "Armëmbajtja pa leje".

Tashmë do të jetë gjykata, e cila do të vendosë nëse kjo çështje do të kalojë për gjykim themeli apo do të kthehet për plotësim hetimesh.

Portugezi Ruben Saraiva u ekstradua në Shqipëri me 31 dhjetor të vitit 2023, pas vendimit të gjykatës së Marokut, e cila pranoi kërkesën e autoriteteve shqiptare.

Prej asaj kohe ai po qëndron në paraburgimin e Tiranës, në pritje për t’u përballur me drejtësinë shqiptare, ndërsa në vazhdimësi të ketë lidhje me vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj në Shëngjin.

Për krimin të akuzuar janë edhe 4 shtetas britanikë që ndihmuan dhe i dyshuari Edmond Haxhia si organizator dhe porositës i vrasjes.

Ardian Nikulaj u ekzekutua më 19 prill 2023 në Shëngjin në hotelin e tij. 

Vrasja e biznesmenit Ardian Nikulaj ishte në vazhdën e zinxhirit të hakmarrjes që familja e viktimës kanë me fisin Lekstakaj, konflikt ky që ndër vite ka prodhuar shumë viktima.