Raporti "gri" i OECD-së: Përqendrimi i raportimit tek Qeveria dhe Kuvendi, ul performancën e institucioneve

Mënyra sesi është e ndërtuar struktura administrative në vend duket se nuk siguron llogaridhënien e duhur duke mbetur peng i problemeve që nisin nga vendosja e drejtësisë në kohë tek mbështetja e institucioneve të pavarura që adresojnë problematika.

Një raport i fundit i Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim në titullin “Administrata publike në Shqipëri 2024: Vlerësimi kundrejt Parimeve të Administratës Publike” gjykon se përqendrimi i raportimit në zyrën e Kryeministrit dhe të Parlamentit si dhe mungesa e vendosjes së objektivave të qarta në planet e punës e bën të vështirë menaxhimin e performancës që kanë institucionet.

“Llogaridhënia është minuar nga të metat në strukturën organizative dhe aksesi i kufizuar në drejtësinë administrative për shkak të kohëzgjatjes së tepërt dhe vonesave në ekzekutim

Struktura organizative e administratës publike, me një numër të madh organesh që i raportojnë drejtpërdrejt Zyrës së Kryeministrit apo edhe në Parlament, si dhe mungesa e objektivave dhe targeteve të qarta në planet e punës, pengojnë llogaridhënien dhe menaxhimin e performancës së organeve të administratës publike” thuhet në raport.

I njëjti gjykon se ndërkohë që ka pavarësi dhe kompetenca të mjaftueshme për mbikëqyrje efektive të administratës publike nga Avokati i Popullit dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH), zbatimi i rekomandimeve të tyre mbetet i ulët dhe Kuvendi nuk ofron mbështetjen e duhur për këto organe në rolet e tyre.

“Procedurat e gjata gjyqësore administrative (15.5 vjet në shkallën e apelit,) dhe moszbatimi i vendimeve nga administrata publike minon aksesin efektiv në drejtësinë administrative, ndërkohë që sektori publik vazhdon të luftojë me perceptimet e larta të korrupsionit” thuhet në raport./ Marrë me shkurtime nga Monitor

POR QEVERIA E LEXON NDRYSHE RAPORTIN E OECD-së, NDIQNI DEKLARATAT E SOTME