MË TË MIRËT E 2024! Nga “i Arti” Bekim Balaj, krerët e UEFA dhe FIFA-s në eventin gala të FSHF-së
Siç është kthyer në traditë tashmë, mbrëmjen e djeshme u organizua eventi i përvitshëm i ndarjes së çmimeve për më të mirët e vitit që sapo lamë pas. Sulmuesi i Vllaznisë, Bekim Balaj u shpall futbollisti më i mirë i vitit 2024, duke fituar Topin e Artë, por edhe atë të Këpucës së Artë. Ndërkohë, Edlir Tetova fitoi çmimin për trajnerin më të mirë.
Si çdo vit, edhe këtë herë Federata Shqiptare e Futbollit organizoi evenimentin ‘Më të mirët 2024’. Në mbrëmjen gala që tashmë është kthyer në traditë, FSHF ndau çmimet për lojtarët më të mirë të vitit, që spikatën e shkëlqyen me skuadrat e tyre respektive.
Kreu i Federatës, Armand Duka në fjalën e tij përshëndetëse u shpreh ndër të tjera se duhet të ecim përpara më të bashkuar & me më shumë pasion për atë që duam të arrijmë.
Ndërkaq, nuk kishte si të ndodhte ndryshe dhe Bekim Balaj u shpall lojtari më i mirë i vitit të sapo lamë pas, duke fituar topin e artë, ndërsa gjithashtu Duka i dhuroi atij edhe çmimin e këpucës së artë të golashënuesit më të mirë.

Ermir Rashica ndërkohë fitoi çmimin “Talenti i Vitit”. Ai po spikat me fanellën e Skënderbeut në Superligën shqiptare.
Sakaq, Edlir Tetova u shpall “Trajneri i Vitit” 2024, pasi udhëhoqi Egnatian drejt titullit të parë kampion dhe fitoi Kupën e Superkupën e Shqipërisë.
Për sa I përket Kombëtares kuqezi, Berat Gjimshiti u zgjidh nga futbollistët e përfaqësueses si Lojtari i Vitit i Kombëtares, ndërsa Çmimi Zemër Kuqezi iu atriubua Ylber Ramadani.
Për futbollin e femrave, futbollistja e Vllaznisë Ezmiralda Franja fitoi “Topi i Artë” 2024, ndërsa Xhesika Ndoj u shpall talentja e vitit.
Në mbrëmjen gala nuk munguan as mesazhet nga kreu I futbollit evropian, Aleksandër Seferin dhe ai botëror Giani Infantino.

2024-a ishte një vit me suksese të jashtëzakonshme të arritura nga FSHF, u shpreh Presidenti i UEFA-s, ndërsa kreu i FIFA-s tha se Shqipëria mund të bëjë historinë dhe të kualifikohet për herë të parë në një Kampionat Botëror.

