Guardiola: Kam nevojë për më të mirët në Champions, me Club Brugge është si një finale për ne

Trajneri i Manchester City, Pep Guardiola, ka shpjeguar arsyen e debutimit të shpejtë të Abdukodir Khusanov gjatë fitores 3-1 ndaj Chelseat.

Ai luajti për 54 minuta dhe më pas u zëvendësua nga John Stones, për të cilin trajneri thotë se synon ta ketë në 100% të formës për sfidën e Champions League.

“Ne kemi nevojë për Stonës të mërkurën. Problemet tona me dëmtimet po vazhdojnë. Situata nuk po përmirësohet, prandaj u desh të luanim me Khusanov.

John mund të na ndihmojë për sfidën tonë të së mërkurës me Brugge, që është një finale për ne”, tha Guardiola, që synon fitoren për të shpresuar në fazën play off.

“Nuk do të doja të shkoja në merkato në këtë periudhë, por kemi dëmtime dhe luajmë çdo tri ditë. Ky është një problem.

Në futboll gjithçka varet edhe nga lidhja mes lojtarëve në fushë. Stones preferoj ta shoh përsëri si mbrojtës, pasi ai e lexon situatën kaq mirë në atë pozicion”, shtoi Guardiola.

“Për ne ka qenë emocionalisht e vështirë pas humbjes në Paris, performanca nuk ishte vërtet e mirë.

Na u desh të rikuperoheshim dhe lojtarët më treguan ndaj Chelsea se unë nuk jam gabim që mbështetem tek ata”, tha Guardiola, që shtoi se nuk pret të jetë me Jeremey Dokun të paktën në dy ndeshjet e ardhshme.