Nga Franca e bëjnë të sigurt: Drejtuesit e Juventusit kanë kontaktuar Xavin
Gazeta franceze ‘L'Equipe’ është e sigurt: Juventusi ka kontaktuar Xavi-n, ish-trajner e Barcelonës (i larguar në majin e kaluar) dhe aktualisht pa ekip.
Bardhezinjtë, sipas raportimeve nga Franca, kanë zhvilluar biseda informale me 45-vjeçarin, i cili disa muaj më parë u lidh gjithashtu me Milanin, para se Conceição të merrte drejtimin e kuqezinjve në vend të Fonseca-s.
Lajmi për Xavi-n vjen dy ditë pas humbjes së parë sezonale të Juventusit ndaj Napolit, një rezultat që i lë bardhezinjtë shumë larg pritshmërive që ekzistonin gjatë verës pas revolucionit të drejtuar nga Thiago Motta.
Ky i fundit, të paktën publikisht, ka pasur gjithmonë mbështetjen e Giuntolit: drejtori teknik e ka dëshiruar me ngulm Motta-n në stolin e Juventusit dhe po punon për t'i dhënë italo-brazilianit përforcime të tjera të rëndësishme në mbrojtje.
Përveç ndonjë surprize, Motta pritet ta përfundojë sezonin me Juventusin, por duhet pasur kujdes për lëvizjet që po planifikohen për qershorin.
Nuk është rastësi që edhe ‘L'Equipe’ thekson se sondazhi i Juventusit për Xavi-n nuk ka një qëllim të menjëhershëm, por është i orientuar drejt së ardhmes.
Në këtë kuadër, vlen të përmendet edhe profili i Gasperinit, i cili pëlqehet nga drejtuesit aktualë të Juventusit.
Trajneri 67-vjeçar, i formuar pikërisht te Juventusi, ende nuk ka rinovuar zyrtarisht kontratën që i skadon me Atalantën më 30 qershor 2025.
