Hap i rëndësishëm në futbollin gjerman: Vendimet e VAR-it do t’u shpjegohen tifozëve
Gjyqtarët e futbollit gjerman do të fillojnë të bëjnë njoftime në stilin e NFL për tifozët, për të shpjeguar vendimet e VAR-it, duke filluar nga kjo javë.
Bayerni dhe kampionët gjermanë Bayer Leverkusen janë mes nëntë klubeve që po marrin pjesë në një program pilot gjatë ndeshjeve të tyre si pritës që nga e shtuna, sipas deklaratës së Ligës Gjermane këtë të hënë.
Pas një prove të ngjashme në English League Cup më herët këtë muaj, pesë ndeshje këtë javë janë përzgjedhur për fazën e parë të programit në Gjermani, përfshirë ndeshjen e Bayern-it kundër Holstein Kiel të shtunën.
Për momentin, kjo do të zbatohet vetëm në një pakicë ndeshjesh në dy ligat e para të meshkujve.
Gjyqtarët do të përdorin një mikrofon të lidhur me sistemin e altoparlantëve të stadiumit për të komunikuar drejtpërdrejt me tifozët pas rasteve që kërkojnë shqyrtim nga sistemi VAR.
Në stadium do të transmetohet vetëm vendimi përfundimtar, jo diskutimet midis gjyqtarit në fushë dhe kolegëve të tij.
Në Gjermani, shumë tifozë ende e kritikojnë VAR-in për ndërprerjen e rrjedhës së lojës dhe, sipas disa prej tyre, për dënimin e mbrojtësve në mënyrë të padrejtë.
Drejtori ekzekutiv i trupës së gjyqtarëve për ligat, Knut Kircher, argumentoi se bërja më e qartë e procesit të VAR-it për tifozët është hapi logjik i radhës.
"Pavarësisht të gjitha diskutimeve kontraverse për asistentët e videos, ne duam të vazhdojmë të punojmë së bashku me Ligën Gjermane të Futbollit dhe klubet e saj për të bërë që vendimet e gjyqtarëve në stadium të jenë më transparente," tha Kircher në një deklaratë.
