Reali ndihet ‘i tradhtuar’, tërhiqet nga gara për talentin argjentinas

Mes Interit dhe Manchester United-it gjithmonë ka qenë edhe Real Madridi që ka ndjekur gjurmët e Franco Mastantuono-s.

Megjithatë, sipas asaj që raporton ‘Marca’, klubi i Florentino Perez-it ndihet i tradhtuar. I mahnitur nga talenti i jashtëzakonshëm dhe hapësirat e mëdha për rritje të argjentinasit të lindur në vitin 2007, ne klubin "merengues" mendonin se mund ta siguronin lehtësisht kartonin e lojtarit duke shfrytëzuar përfundimin e kontratës së tij të mëparshme.

Fatkeqësisht, rinovimi i kontratës së 17-vjeçarit me River Plate është interpretuar nga Real Madridi si një tradhti, duke ndryshuar tërësisht situatën.

Jo vetëm që paga e tij është rritur, por edhe klauzola e largimit ka shkuar në 45 milionë euro, më e larta në futbollin argjentinas, raporton gazeta spanjolle.

Kjo lëvizje duket si një përpjekje për të nxitur një ankand për lojtarin, një situatë që gjiganti madrilen nuk dëshiron ta përjetojë. Për këtë arsye, klubi spanjoll është detyruar të tërhiqet nga negociatat.

Mastantuono mbetet një lojtar premtues, por nuk do të bëhet pjesë e Real Madridit në muajt e ardhshëm.

Kjo tërheqje u hap rrugën klubeve të tjera të interesuara, sidomos atyre që kanë mjaftueshëm mundësi financiare dhe vendosmëri për të siguruar shërbimet e Mastantuono-s.

Për River Plate, ky nuk mund të jetë veçse një lajm pozitiv, pasi ata do të përfitojnë maksimalisht nga shitja e lojtarit të tyre.