Yamal: Flick thotë gjithmonë gjënë e duhur, beson te unë dhe më transmeton besim

Lamine Yamal është rikthyer tashmë në stërvitje me Barcelonën për të vazhduar procesin e rikuperimit nga dëmtimi i kyçit të këmbës, i cili do ta mbajë jashtë fushës deri në vitin e ri.

"Nuk mendoj se ka lidhje me dëmtimin e mëparshëm. Mendoj se ishte thjesht fatkeqësi, sepse ishte një goditje që mora në kyçin e këmbës. Këto janë gjëra që ndodhin," tha ai për kanalet zyrtare të klubit ‘blaugrana’.

Më pas, ai foli për marrëdhënien me pasuesin e Xavi-t, Hansi Flick:

"Është një trajner që të flet, të shpjegon pse ndodhin gjërat.

Këshillat që na jep na ndihmojnë të përmirësohemi. Ai të transmeton shumë besim dhe di çfarë të thotë në çdo moment.

Kjo është shumë e rëndësishme. Di të thotë gjithçka në kohën e duhur. Gjithmonë më thotë se jam shumë i rëndësishëm për skuadrën... se beson te unë."

Për atmosferën në dhomat e zhveshjes, Yamal tha: "Të gjithë jemi ‘culés’ (tifozë të Barcelonës) që në fëmijëri dhe e dimë sa e rëndësishme është të luash për këtë fanellë. Atmosfera në dhomat e zhveshjes është plot energji."

Së fundmi, për atë që i ka munguar në 2024, ai shtoi: "Më kanë munguar trofetë kolektivë me Barçën, që është ajo që më emocionon më shumë, por do të përpiqem që këtë vit t’i bëj realitet.

Në nivel personal, mendoj se ajo që më mungon është të shënoj më shumë gola, sepse me asistimet kam bërë tashmë shumë përparime."