Kërkon pagën që merrte Luis Enrique, ngecin negociatat me De la Fuenten për rinovimin

Luis de la Fuente, trajneri i Kombëtares së Spanjës, i cili fitoi dhe bindi në Kampionatin e fundit Evropian në Gjermani, ende nuk ka arritur një marrëveshje me federatën spanjolle për rinovimin e kontratës.

Sipas "Cadena SER", pas triumfit të fundit në Gjermani, trajneri ka kërkuar nga drejtuesit e RFEF një kontratë të ngjashme me atë që kishte paraardhësi i tij, Luis Enrique.

Megjithatë, kjo kërkesë ka bllokuar negociatat për rinovimin e kontratës, pasi federata spanjolle, sipas radios iberike, nuk dëshiron të kalojë kufirin e dy milionë eurove neto në sezon.

Një negociatë që dukej e thjeshtë, tani është ndalur dhe përfshin një nga figurat më të spikatura të vitit 2024.

Ditët e fundit, De la Fuente bëri një vlerësim të vitit kalendarik, duke thënë:

"Objektivisht, ky vit 2024 është i vështirë për t’u përmirësuar. Gjithmonë them se duhet të përpiqemi të bëhemi më të mirë. Kemi aftësinë për t’u përmirësuar.

Jemi të kënaqur me sukseset e arritura dhe me momentin historik që kemi shënuar duke fituar të gjitha ndeshjet e Evropianit duke luajtur një futboll të shkëlqyer.

E kemi bërë hap pas hapi dhe kemi kuptuar se mund t’ia dilnim. Kjo më ka dhënë një ndjenjë krenarie.

Kemi rikthyer shpirtin e vitit 2010, atë që gjithmonë kam përmendur. Shpirtin që na bëri të dalim të gjithë në rrugë për të festuar."