Tre trofe në një vit, Tetova: Gjithçka ishte perfekte, merita i shkon lojtarëve
Edlir Tetova ka meritë të veçantë në sukseset e Egnatias gjatë vitit 2024. Pas fitimit të Superkupës, trajneri i rrogozhinasve e pranoi se nuk e kishte menduar kurrë që në vitin e tij të dytë te ky ekip do të fitonte tre trofe.
Ai falënderoi lojtarët e skuadrës për këtë arritje ndërsa veçoi si pengun e vitit 2024 paraqitjen jo të mirë të Egnatias në Europë.
“Është një kënaqësi dhe gëzim i madh, arrij të mbyll një formë të projektit që kisha përgatitur. Nuk kisha menduar 3 kupa, një Kupë Shqipërie do ta kishim merituar vitin e parë. Viti i dytë, gjithçka perfekte. Do t’i falënderoj këta djem, që i kam mërzitur pa fund. Dominuam si në lojë dhe rezultate. Çdo gjë që e kisha menduar ka dalë.
Mund të bënim më mirë në Europë, sidomos në ndeshjen e Champions-it, meritonim më shumë me lojën që kemi bërë. Në ndeshjen e dytë morëm riskun tonë.

