Frattesi: Është e vështirë ta përsëritësh veten si kampion. Përveç Interit, janë edhe 3 pretendentë për titull

Davide Frattesi, mesfushori i Interit, ka folur për “La Stampa”, duke trajtuar tema të ndryshme mbi aktualitetin e skuadrës zikaltër. Në lidhje me garën për titullin kampion dhe vështirësitë për ta përsëritur suksesin që solli yllin e dytë sezonin e kaluar, ai u shpreh: "Sigurisht që dua të bëjmë dopietë, për të parë sërish atë koreografi të mrekullueshme, si ajo para ndeshjes Inter-Torino të prillit".

Sa e vështirë do të jetë të përsëritet suksesi?

Ka më shumë skuadra pretendente këtë sezon. Sezonin e kaluar, rivalë kishim vetëm Juventusin dhe pak Milanin. Tani janë shtuar Atalanta, Lazio dhe Napoli. Dy skuadra mund të gabojnë, por janë të tjerat që mund të përfitojnë. Është një kampionat shumë më i hapur.

A ju shqetëson kur thuhet që Interi është shumë më i fortë se konkurrentët?

Po dhe jo, sepse ndeshjet fitohen në fushë, ndërsa jashtë saj, me fjalë, gjithçka duket e lehtë. Nuk është e thënë që një skuadër me lojtarë shumë të fortë të fitojë gjithmonë. Mjafton të shohësh Real Madridin dhe Manchester City këto muaj.

Performanca e lojtarëve varet nga konteksti. Një lojtar jashtë rolit të tij duket i dobët. Në momentet negative shihet forca e një grupi. Na ndodhi edhe neve pas eliminimit nga Champions League kundër Atletico Madridit. Nuk e prisnim pas ndeshjes së parë. Duhej menjëherë të gjenim forcën për të vazhduar përpara".