De Jong në Arabinë Saudite? Agjenti e mohon: Është çmenduri e pastër, ndihet si në shtëpi te Barcelona

Dhimbjet në kyçin e këmbës dhe mos pjesëmarrja në Kampionatin Europian tashmë janë kujtime të këqija. Frenkie de Jong po kap ngadalë formën e tij më të mirë, që nga fillimi i tetorit, kur u rikthye në fushë me fanellën e Barcelonës. Ai ka grumbulluar 13 paraqitje në dy muaj e gjysmë dhe nuk ka ndërmend ta ndalojë marshin, gjithmonë pranë klubit katalanas.

Pra, mohohet kategorikisht kalimi i tij në Arabinë Saudite. De Jong ndihet ende si në shtëpi te Barcelona, bashkë me familjen e tij, ndaj nuk dëshiron fare të ndryshojë mjedis. Këtë e ka konfirmuar qartë dhe prerë agjenti i tij, Ali Dursun, në një intervistë për "De Telegraaf": "Jemi të lumtur së bashku. Kush e di, ndoshta do të vazhdojmë të jemi të lidhur për një kohë të gjatë…"

Pra, këto janë fjalë që heqin çdo dyshim për spekulimet e disa mediave spanjolle lidhur me një aventurë të mundshme të mesfushorit holandez në Arabinë Saudite.

"Është çmenduri e pastër, – ka thënë agjenti i futbollistit në fjalë. – Biseda me Arabinë Saudite? Është trillim i pastër. Këto shpifje e largojnë vëmendjen nga ambicia e vërtetë e Frenkie. Ai do vetëm një gjë: të jetë në formë për të vazhduar të shkëlqejë te klubi që e do dhe ku ndihet si në shtëpi".

Kjo është një temë që i ka interesuar edhe trajnerit të Holandës, Ronald Koeman, i cili e monitoron me kujdes gjendjen fizike dhe formën e lojtarit, që mungoi në Kampionatin Europian të Gjermanisë verën e kaluar.