Rrëfehet sensacioni i Milanit: Paratë ia kam besuar babait tim, kam punuar në supermarket...
Mesfushori i Milanit, Tijani Reijnders, ka qenë një nga protagonistët kryesorë të ekipit të Paulo Fonseca-s në këtë pjesë të parë të sezonit.
Holandezi ka folur për jetën e tij private dhe familjare në një intervistë për Milan TV, duke zbuluar më shumë për personalitetin e tij:
“Tani e konsideroj me të vërtetë shtëpi. Prej një viti, kur jemi në Holandë dhe i them gruas sime, Marina, të kthehemi në shtëpi, mendoj për Milanon.
Ndihem shumë mirë këtu. Miqtë dhe familja mund të na vizitojnë pa shumë mundim, pasi fluturimi zgjat vetëm një orë e gjysmë. Italia është fantastike, sidomos për ushqimin.
Nëse shkoj në qendër, është normale që tifozët kërkojnë foto, por nuk është diçka jashtë normales.”
“Mamaja ime është indoneziane dhe babai im holandez. Unë, vëllai dhe motra ime jemi miks. Djali im, Xavién, është një miks i çmendur sepse gruaja ime vjen nga Iraku.
Si fëmijë, pata ndikime indoneziane dhe holandeze, gjë që më formoi si personin që jam sot. Nga kultura holandeze kam mësuar të qëndroj me këmbë në tokë, ndërsa nga ajo indoneziane krenarinë për atë që arrijmë.
Jam krenar për familjen time dhe për mënyrën se si po shkon karriera ime. Gjithmonë dua të jem vetvetja, në çdo rast. Këtë aspekt të përulësisë duam t’ia mësojmë edhe djalit tonë.”
“Kur nënshkrova kontratën e parë me AZ, prindërit më thanë që, nëse doja, mund t’i shpenzoja të gjitha paratë. Paratë e bëjnë jetën më të lehtë, por në fund gjëja më e rëndësishme është shëndeti dhe ndihma për të tjerët.
Prandaj zgjodha babanë tim si agjent në futboll, sepse i besoj për menaxhimin e parave dhe çështjeve të tjera.”
Puna e parë në një supermarket
“Më bëri mirë, punoja me dy nga miqtë e mi më të mirë dhe kalonim shumë mirë. Por ishte e dobishme të shihja jetën me një punë normale. Më bëri të reflektoj ndryshe për paratë dhe për jetën time të mrekullueshme tani.”
Diferencat mes Italisë dhe Holandës
“Në Holandë, hahet darkë rreth orës 18:00 ose 18:30. Këtu, në atë orë, restorantet janë të mbyllura, dhe ato ku duam të shkojmë hapen pas orës 19:00. Për ne, me Xavién, kjo është tashmë vonë.
Në Holandë, e presim pastën; një herë në Milanello shtova pulë në pasta dhe Florenzi më tha që kjo nuk është normale këtu. Më pëlqen të ngas makinën; nganjëherë ngas me 4 ose 5 makina paralele dhe ndihem sikur jam në Mario Kart.”
“Që kur ka ardhur, jeta ime ka ndryshuar shumë. Më parë, kthehesha në shtëpi pas një humbjeje dhe mendoja vetëm për atë. Tani, kthehem dhe harroj gjithçka sepse e shoh atë, gjënë më të rëndësishme në botë.
Nëse do të luajë futboll, do të doja të isha trajneri i tij.
Çfarëdo që të zgjedhë të bëjë, më e rëndësishmja është që të argëtohet. Dua që ai të ketë gjithçka që i nevojitet. Nëse ai ndihet keq, do të doja të ndihesha unë keq në vend të tij.
Për mua, më e rëndësishmja është që ai të jetë i shëndetshëm dhe i lumtur.”
Koleksioni i fanellave të futbollit
“Kam shumë dhe disa janë në Holandë. Kam fanellën e mikut tim më të mirë, Ehizibue të Udinese. Jemi nga i njëjti qytet, kemi luajtur së bashku dhe ai ishte dëshmitari im në dasmë.
Kam fanellat e 3 holandezëve që luajnë te Liverpool-i (van Dijk, Gakpo dhe Gravenberch), kam fanellën e Kimmich të Gjermanisë, Krunic të Bosnjës, Frimpong.
Shpesh i ndërroj fanellat me lojtarë që njoh (tregon fanellën e Dumfries të Interit). Kam fanellën e vëllait tim që luan te PEC Zwolle.
Kam fanellën e Theo-s, të Francës, dorëzat e Maignan, fanellën e Mbappé të PSG-së. Ajo ishte një ndeshje e jashtëzakonshme për atmosferën që ishte në ‘San Siro’ dhe për mënyrën si fituam. (Tregon fanellën e Giroud të Francës) Kjo është speciale sepse Oli, që kur erdha në Milano, më bëri të ndihem i mirëpritur.
Më ndihmoi duke më dhënë këshilla se ku të jetoja në Milano. (Tregon fanellën e Chukwueze të Nigerisë) Këtë ma dha Chukwu, fatkeqësisht nuk jemi përballur me Kombëtaret.
Kur ai erdhi te Milani, vëllai im më tha që është pak i çuditshëm për shkak të flokëve që ka.”
Marrëdhënia me të vëllanë, Eliano
“Ai është miku im më i mirë; ndajmë gjithçka dhe flasim çdo ditë. Tani luan për Kombëtaren e Indonezisë dhe jam shumë krenar për të. Që kur ishim të vegjël, gjithmonë kemi luajtur futboll.”
