Immobile: Ja çfarë më ka mbetur peng nga Lazio
Ciro Immobile, tani që po shkëlqen te Beshiktashi, ka folur për largimin e tij nga Lazio dhe aventurën e re në Turqi.
Në një intervistë për ‘Sky Sport’, ish-kapiteni i Lazios ndau mendimet e tij për këtë tranzicion dhe përvojën e tij te klubi i ri.
Duke folur për kalimin në Turqi, Immobile tha:
“Gjatë udhëtimit që më çoi nga Italia në Turqi, kisha mendime pozitive: isha entuziast përballë kësaj aventure të re, duke dashur të nisja me qëndrimin e duhur.
Mendja ime ishte e fokusuar të bëja mirë: më pëlqeu ideja e ndryshimit, por në të njëjtën kohë kisha pak frikë pas tetë vitesh te Lazio.”
“Por në fund, kisha atë entuziazmin që të gjithë ndjejnë kur ndryshojnë ekip: kisha dëshirën, urinë për të nisur nga e para, për të pasur stimuj të rinj.
Isha pak i trishtuar, veçanërisht sepse kisha lënë familjen time në Itali. Por kisha nevojë për një ndikim të tillë në Turqi: hyra, shënova dy gola, u shpalla lojtari i ndeshjes dhe ngrita trofeun. Të jep një energji të veçantë.”
Duke reflektuar për kohën e tij te Lazio, Immobile foli për ndryshimin në marrëdhëniet me tifozët:
“Tifozët e Lazios më donin marrëzisht. Edhe unë i doja ata në të njëjtën mënyrë, por po bëhej një dashuri vetëm për atë që kisha bërë dhe jo për atë që mund të jepja ende, dhe kjo më rëndonte pak.”
“Në futboll, lojtarët që vazhdojnë janë ata që kanë më shumë vazhdimësi, gjithmonë e kam menduar këtë. Tani, megjithatë, në Turqi ndihem shumë mirë, ky stadium të përfshin.
Kampionati është me nivel të mirë dhe erdha këtu për të vazhduar të bëj atë që më pëlqen: të kënaqem.”
Immobile foli gjithashtu për sfidat që përjetoi në fund të kohës së tij te Lazio:
“Pas largimit të Sarrit, kalova një periudhë vërtet të vështirë. Si kapiten, mora përgjegjësi që nuk e mendoja as se i kisha: nuk isha gati dhe përfundova në një vorbull më të madhe se unë.
Nëse nuk je i qartë në mendje, këmbët nuk funksionojnë dhe lëndohesh, pikërisht siç ndodhi me mua. Të gjitha këto gjëra më çuan të vendos të largohem.”
Sulmuesi shprehu një peng të vetëm për largimin e tij:
“Pengu im i vetëm është që nuk u thashë lamtumirë tifozëve. Si çdo histori, ka një fillim dhe një fund: do të kishte qenë bukur të ndanim një fund të mirë së bashku.
Nuk do të thotë që një lamtumirë nuk mund të ndodhë me një buzëqeshje, me gëzim. Do të kishte qenë si një ‘shihemi më vonë’ mes dy miqsh që ndjekin rrugë të ndryshme. Kjo më ka mbetur peng.”
