Te Bayerni e konsideruan dështim, sulmuesi spanjoll: Më premtuan shumë, por...
Pas periudhës së vështirë te Bayerni i Mynihut, Bryan Zaragoza është rikthyer në futbollin spanjoll, konkretisht tek Osasuna, ku është përshtatur shumë mirë dhe që nga mbërritja e tij është kthyer në një nga argumentet kryesore të skuadrës së Vicente Moreno-s.
Lojtari nga Malaga dha një intervistë për 'Diario de Navarra', ku foli për eksperiencën e tij te skuadra gjermane, e cila ende zotëron kartonin e tij, pasi Zaragoza erdhi te Osasuna si huazim këtë verë.
"Më premtuan shumë gjëra që nuk u realizuan.
E kisha shumë të vështirë të përshtatesha. Ishte një vend tjetër, një gjuhë tjetër, një ushqim tjetër, një ligë tjetër.
Nuk mund të përshtatesha për një muaj. Më u desh kohë. Vendosa të largohesha dhe kjo më ka bërë mirë," komentoi sulmuesi anësor i Osasunës.
Bryan Zaragoza iu bashkua Bayernit pas një sezoni mbresëlënës në La Liga me Granadën, e cila u detyrua ta shiste në janar për rreth 17 milionë euro.
Në Bavari, spanjolli u la në harresë, duke luajtur vetëm 178 minuta në shtatë ndeshje dhe duke qenë titullar vetëm një herë nën drejtimin e Thomas Tuchel.
"Flitej se isha një transferim i dështuar, se nuk flisja gjuhën... Merrja shumë kritika. Shtypi më kritikonte shumë, sepse supozohej që nuk dija të flisja as anglisht, as gjermanisht," rrëfeu ai.
Në moshën 23-vjeçare, Bryan Zaragoza ka gjetur sërish një kontekst të përshtatshëm për të shfaqur nivelin e tij. Këtë sezon ka luajtur mbi 1,000 minuta, ka shënuar një gol dhe ka dhënë pesë asistime.
Madje është rikthyer edhe në listën e të grumbulluarve të kombëtares spanjolle nga Luis de la Fuente.
"Më pëlqen ambienti tek Osasuna. Të ndihesh rehat është ajo që më bën të jap më të mirën. Kur erdha këtu, ndjeva një lidhje të ngjashme.
Ndihem shumë mirë me shokët e ekipit, stafin teknik dhe njerëzit e qytetit," tha ish-lojtari i Granadës.
