5 vite luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, Dumani: Na janë kërcënuar edhe familjarët! S’ka të pandëshkueshëm! Jemi përballur me ...

Kreu i SPAK, Altin Dumani në ceremoninë e 5 vjetorit të themelimit të SPAK tha se reforma në drejtësi solli pandëshkueshmërinë e zyrtarëve të lartë, por edhe anëtarëve të krimit të organizuar. Dumani theksoi se drejtësia nuk njeh anë e kah, ndërsa u ndal edhe tek sulmet që bëhen në drejtim të prokurorëve të SPAK.

Ai tha se janë përballur me përpjekje për të minuar punën e SPAK, por edhe me shpifje, kërcënime, të cilat kanë vënë në shënjestër edhe vetë familjarët e prokurorëve. 

Altin Dumani: "Jemi krenar për kontributin që kemi dhënë në lehtësimin e arritjes së kësaj aspirate. Jemi të vendosur përgjatë rrugës së integrimit europian, për të ruajt standardin europian të zbatimit të ligjit. Në fillim ishim vetëm 8 prokurorë.

E nisëm me një dosje voluminoze të mbartura nga krimet e rënda dhe atë të transferuara nga prokuroritë e rretheve. Në mungesë të plotë të Byrosë kombëtare të hetimit, po për të kontribuar në ngritjen e këtij institucioni të ri.

U hasën vështirësi nga më të ndryshme, qoftë në ngritje e institucioneve nga ana formale, por edhe infrastrukturore. U desh të krijohej një fizionomi dhe mendësi që do i përshtatej filozofisë së re të reformës në drejtësi.

Sot vijojnë po të njëjtat, por kjo është pjesa jonë personale. Një pjesë aspak e vogël, që ne 20 prokurorët e SPAK, 60 hetuesit e BKH e të tjerë, ne i kemi prnauar. Sollëm ndëshkueshmëri në nivele të larta të shtetit.

Drejtësi nuk njeh anë dhe kah, dhe nuk ka të paprekshëm nëse ligjet e këtij vendi shkelen. Korrupsioni sfidohet, se sot s’mund të ketë zyrtarë të lartë publik të imunizuar nga drejtësia. Kjo përpjekje e jona s’ka kaluar pa vështirësi.

Korrupsioni apo krimi s’mund të zhduken para ditës. Jemi përballur me përpjekje për ta minuar punën tonë, kërcënime, shpifje apo kërcënime familjarësh. Jemi betuar për t'i shërbyer vendit, drejtësisë shqiptare dhe qytetarëve shqiptarë".

5 vite luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar

SPAK nisi punën në vitin 2019 dhe është kthyer në një nga institucionet kyçe të reformës në drejtësi. Në këto pesë vite, SPAK ka treguar angazhim të pandërprerë për të ndjekur penalisht bosët e krimit dhe figurat e larta të korruptuara, duke sjellë përpara drejtësisë emra të rëndësishëm jo vetëm nga bota e krimit, por edhe zyrtarë e ish-zyrtarë të lartë.

Sipas drejtuesit të tij, Altin Dumani, gjatë pesë viteve të fundit, SPAK ka regjistruar një sërë çështjesh penale, duke vepruar shpesh me nismën e vet, dhe ka arritur të sekuestrojë dhe konfiskojë asete me vlerë deri në 150 milionë euro. Dumani ka theksuar se bashkëpunimi ndërkombëtar ka qenë një shtyllë kyçe e suksesit të këtij institucioni, si në luftën kundër korrupsionit ashtu edhe kundër krimit të organizuar.

Dumani ka propozuar disa përmirësime në kuadrin ligjor, përfshirë uljen e pragut të korrupsionit në 500 euro në Kodin Penal, për të rritur efikasitetin në ndjekjen e rasteve më të ndërlikuara. Ai gjithashtu ka sugjeruar mundësinë e rikandidimit të prokurorëve të posaçëm pas përfundimit të mandatit 9-vjeçar.

SHBA dhe BE vazhdojnë të mbështesin Shqipërinë në këtë proces jetik, duke i qëndruar pranë popullit shqiptar në rrugën drejt një sistemi drejtësie të drejtë dhe të pavarur.

KONFERENCA E PLOTE E 5-VJETORIT TE SPAK