5 ORË DEBATE PËR BUXHETIN E TIRANËS/ Pano: Erion Veliaj iku me vrap për të shmangur debatin me opozitën
Prej 5 orësh Këshilli Bashkiak i Tiranës vijon mbledhjen maratonë, ku në rend të ditës është miratimi i projektbuxhetit të propozuar nga mazhoranca për vitin e ardhshëm.
Për të kuptuar më shumë mbi diskutimet që po zhvillohen në këtë seancë, anëtari i këshilltarëve të PD-së në Bashkinë e Tiranës, Jonathan Pano në një lidhje me studion e lajmeve në “Ora News” u shpreh se çështjet e incineratorit të Tiranës dhe pagesat që ende vazhdojnë është në qendër të debatit të opozitës.
“Ende nuk kemi kaluar në seksionin e amendamenteve të propozuara nga opozita, por jemi në pjesën e diskutimeve ku anëtarët kanë 5 minuta për të diskutuar për temat e ditës.
Ky është buxheti më i madh që kemi pasur ndonjëherë në historinë e Bashkisë së Tiranës.
Ka qenë një seancë e qetë dhe po presim që do të kalojmë në diskutimet për amendamentet tona.
Është një buxhet prej 390 mln eurosh dhe që do të kalojë shifrën e 500 milionë eurove. Ne vazhdojmë të diskutojmë për pagesat për një incinerator që nuk ekziston dhe mund të themi që për menaxhimin e plehrave të Tiranës paguajmë 80 mijë euro në ditë për një shërbim të cilin ne nuk po e marrim.
Po ashtu, po diskutohet mbi pezullimin e punimeve te Teatri i Tiranës deri në një vendim të gjykatës.
Heqja e taksës së infrastrukturës arsimore, nga e cila janë vjelë mbi 50 mln euro dhe që është një taksë e paligjshme që do duhej të kishte përfunduar në vitin 2019.
Kemi kërkuar transparencë dhe të gjitha projektet e shkollave që janë bërë vetëm nga kjo taksë.
Veliaj erdhi bëri fjalimin monolog për 1 orë mbi buxhetin dhe iku me të mbaruar, dhe ne nuk kërkojmë debat me nënkryetaren e Bashkisë, por kjo është diçka e përsëritur nga ana e Erion Veliajt”, u shpreh ndër të tjera anëtari i opozitës në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Jonathan Pano.
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME JONATHAN PANO


