Detaje nga atentati në Vlorë/ Kevin Hajrulla shoqërohet te Trauma, brenda "KIA"-s së djegur të autorëve u gjetën 2 kallashnikovë (VIDEO)
I plagosuri i atentatit të ndodhur mbrëmjen e së mërkurës Kevin Hajrulla, në orët e mëngjesit të kësaj të enjte është nisur drejt kryeqytetit. Pasi ka marrë ndihmën mjekësore në spitalin e Vlorës ai është nisur drejt Traumës në gjendje të rëndë për jetën për të marrë një ndihmë mjekësore më të specializuar.
Besohet se në atentatin ndaj tij kanë marrë pjesë tre persona, dy të cilët godasin me kallashnikov në drejtim të mjetit Benz të 30-vjecarit.

Dyshohet të kenë qenë dy gryka zjarri që godasin me breshëri, referuar numrit të lartë të gëzhojave dhe asaj çfarë u gjet në brendësi të mjetit Kia i cili u dogj në Panaja.
PAMJET PAK SEKONDA PAS ATENTATIT
Policia e Vlorës fill pas ngjarjes ka ushtruar kontrolle në banesa dhe biznese jo vetëm në zonën ku ndodhi ngjarja por në gjithë qytetin. Të pyetur marrë në pyetje në komisariatin e Vlorës janë mbi 20 persona të cilët janë kryesisht miq, familjarë të viktimës, dëshmitarë të rastit dhe ata të cilët mund të konsideroheshin “armiq” të tij apo kushëririt të tij.
Prej dëshmive nuk kanë dalë detaje të cilat mund të ndihmojnë zbardhjen e ngjarjes. Policia vijon edhe sot kontrollet dhe sekuestrimin e kamerave të sigurisë. Janë sekuestruar me dhjetra servera të kamerave në zonë dhe përgjatë itenerarit ku kanë lëvizur autorët. Hetimet ndërkohë vazhdojnë.

I plagosur ka mbetur edhe një kalimtar i rastit, Armand Spahiu. Ky i fundit mësohet se ka marrë vetëm një plumb dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
VIDEO - Flet dëshmitari: U shtriva përtokë...
Ndërkohë është gjetur duke u djegur në fshatin Panaja, automjeti tip “KIA” që u përdor nga atentatorët.
Brenda në automjetin e shkrumbuar krejtësisht nga flakët janë gjetur dy armë zjarri.
Pas këqyrjes paraprake nga grupi hetimor, automjeti i autorëve është transportuar për në komisariatin e Vlorës ku edhe do t’i nënshtrohet ekspertizës për mbledhjen e provave të mundshme të autorëve.
Mësohet se shënjestra e atentatit nuk ka qenë person me precedentë të mëparshëm penalë.
VIDEO - Digjet makina në aksin Vlorë-Fier


