Të rinjtë përballë politikës së vjetër/ Leka: Nuk i jam bashkuar askujt. Pamë të nevojshme krijimin e një partie...

Studioja e emisionit "Ora e Betit", në "Ora News", mbrëmjen e sotme kishte një panel me të rinj, të cilët besojnë tek politika, që kanë idealet dhe frymëzimet e tyre dhe që e bëjnë me pasion politikën.

Klodi Leka, i cili është pjesë e lëvizjes 'Bashkë', ishte një ndër të ftuarit, ku u shpreh se:

"Unë personalisht nuk vij nga një familje e cila është angazhuar më përpara politikisht në këtë kuptim, nuk kemi qenë të përcaktuar as majtas as djathtas. Angazhimi im në universitet, angazhimi për çështje të ndryshme si 'çështja punëtore', ka ardhur kryesisht jo vetëm se jam pjesë e një trashëgimie por prej disa idealeve të majta, unë e shoh shoqërinë në një farë botëkuptimi të majtë dhe tek lëvizja 'Bashkë', nuk i jam bashkuar një partie por kam qenë themelues bashkë me bashkëmoshatarë të tjerë të një partie të re politike. Prej 10 vitesh jemi marr me angazhime kryesisht në rrafshin studentor dhe sindikalist e pamë të nevojshme të krijonim një parti të re politie që mundemi të garojmë dhe brenda sistemit pa e humbur këtë përmasën tjetër që është aktivizmi social. Besoj tek idealet dhe vlerat e majta demokratike."