Siguria kibernetike, Qeveria vendim për organizimin dhe funksionimin e AKSK-së
Këshilli i Ministrave mori sot vendim për organizimin dhe funksionimin e Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike.
Sipas vendimit AKSK është institucion publik, buxhetor, me seli në Tiranë, në varësi të Kryeministrit dhe financohet nga buxheti i shtetit dhe burime të tjera të ligjshme, sipas legjislacionit në fuqi për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë.
Misioni i Autoritetit është të sigurojë një nivel të lartë të sigurisë kibernetike për rrjetet dhe sistemet e informacionit në Republikën e Shqipërisë, si dhe të garantojë siguri e besueshmëri në përdorimin e nënshkrimit elektronik, identifikimit elektronik dhe shërbimeve të besuara.
Sa i përket përgjegjësive funksionale të Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike.
Në vendim thuhet se, autoriteti kryen detyrat dhe ushtron përgjegjësitë në përputhje me përcaktimet e legjislacionit në fuqi për sigurinë kibernetike, nënshkrimin elektronik, identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara.
Autoriteti ka përgjegjësi të organizojë punën për përcaktimin e masave të sigurisë kibernetike dhe mbikëqyrjen e zbatimit të tyre nga operatorët e infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit; Hartimin dhe monitorimin e zbatimit të Strategjisë Kombëtare për Sigurinë Kibernetike; Koordinimin e veprimtarisë me subjekte të tjera përgjegjëse për sigurinë kibernetike dhe bashkëpunimin në nivel kombëtar e ndërkombëtar me institucione e organizma në fushën e sigurisë kibernetike; Edukimin dhe rritjen e ndërgjegjësimit në fushën e sigurisë kibernetike; Zbatimin e standardeve të sigurisë nga ofruesit e shërbimeve të certifikimit; Sigurimin e cilësisë, besueshmërisë dhe përputhshmërisë me standardet ligjore për shërbimet e besuara dhe identifikimit elektronik; Kontrollin/monitorimin e zbatimit të standardeve dhe të procedurave të lëshimit të certifikatave të kualifikuara nga ofruesit e kualifikuar të shërbimit të besuar.
Autoriteti, harton e monitoron zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Sigurinë Kibernetike si institucion përgjegjës, në koordinim me institucionet e tjera përgjegjëse për sigurinë kibernetike; Identifikon infrastrukturat kritike dhe të rëndësishme të informacionit, në bashkëpunim e bashkërendim me subjektet e tjera përgjegjëse për sigurinë kibernetike; Vepron si pikë qendrore kontakti në nivel kombëtar e ndërkombëtar, si dhe koordinon e bashkërendon punën me institucionet e sigurisë e të mbrojtjes, si dhe bashkëpunon me subjektet e tjera përgjegjëse për sigurinë kibernetike, sipas legjislacionit në fuqi për sigurinë kibernetike; Vepron në cilësinë e CSIRT-it Kombëtar dhe CERT-it; Bashkëpunon dhe shkëmben informacione të rëndësishme me operatorët e infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit, në lidhje me të dhënat në sisteme, kur ato janë të rrezikuara për shkak të një incidenti kibernetik.
AKSK përcakton dhe kontrollon zbatimin e masave të sigurisë kibernetike, që duhet të aplikohen nga operatorët e infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit; Asiston operatorët e infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit në menaxhimin e incidenteve kibernetike; Kryen monitorim aktiv të infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit nëpërmjet informacioneve të marra nga platformat e jashtme të ngritura nga AKSK-ja ose operatorët e infrastrukturave të informacionit, si dhe nga platformat e brendshme, me kërkesë nga operatorët e infrastrukturave të informacionit, me qëllim evidentimin e parandalimin e veprimeve keqdashëse.
Autoriteti bashkëpunon me subjektet përgjegjëse të sigurisë kibernetike në nivel kombëtar e ndërkombëtar; Përgatit skemën kombëtare të certifikimit të sigurisë kibernetike, si dhe inkurajon operatorët e infrastrukturave të informacionit për përdorimin e saj; Vendos penalitete për subjektet që nuk zbatojnë detyrimet ligjore, sipas legjislacionit në fuqi për sigurinë kibernetike, nënshkrimin elektronik, identifikimin elektronik e shërbimet e besuara; Krijon dhe administron regjistrin e dokumentimit të incidenteve të sigurisë kibernetike; Vlerëson e analizon nivelin e sigurisë së sistemeve të infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit, nëpërmjet kontrolleve dhe simulimeve të vazhdueshme, si dhe përcakton masa shtesë për operatorët e infrastrukturave të informacionit për një reagim sa më të shpejtë dhe efikas ndaj incidenteve apo sulmeve kibernetike; Regjistron organet e vlerësimit të konformitetit për sigurinë kibernetike për vlerësimin e masave të sigurisë kibernetike.
AKSK i propozon Kryeministrit shpalljen e gjendjes së krizës kibernetike dhe masat emergjente për zgjidhjen e situatës; Raporton në mënyrë periodike në lidhje me incidentet kibernetike pranë ENISA-s dhe organizmave të tjerë ndërkombëtarë, në kuadër të angazhimeve të Republikës së Shqipërisë për çështjet e sigurisë kibernetike; Kryen aktivitete ndërgjegjësimi dhe edukimi në fushën e sigurisë kibernetike për të gjitha grupet e shoqërisë; Ndërmerr masa të nevojshme, bashkëpunon e bashkërendon punën me institucionet përgjegjëse për sigurinë dhe mbrojtjen e fëmijëve dhe të të rinjve, për krijimin e një mjedisi on-line të sigurt kibernetik në Republikën e Shqipërisë.
Gjithashtu, Autoriteti identifikon, parashikon dhe ndërmerr masat e nevojshme për mbrojtjen ndaj kërcënimeve/sulmeve të mundshme kibernetike, në përputhje me legjislacionin në fuqi për sigurinë kibernetike; Propozon politikat për garantimin e sigurisë kibernetike në nivel kombëtar, monitorimin, identifikimin dhe reagimin ndaj incidenteve për mbrojtjen ndaj sulmeve/kërcënimeve kibernetike për infrastrukturat kritike dhe të rëndësishme të informacionit në Republikën e Shqipërisë, si dhe kontribuon në hartimin e politikave për ndërgjegjësimin ndaj rreziqeve kibernetike të qytetarëve, subjekteve private e autoriteteve publike.
AKSK garanton sigurinë për shërbimet e besuara, në veçanti për garantimin e besueshmërisë dhe të sigurisë në transaksionet elektronike ndërmjet qytetarëve, subjekteve private dhe autoriteteve publike, duke rritur efektivitetin e shërbimeve publike e private dhe tregtisë elektronike; Përcakton rregullat për identifikimin elektronik të sigurt, nënshkrimin elektronik, vulat elektronike, vulat kohore elektronike të kualifikuara, nënshkrimin elektronik të kualifikuar, vulat elektronike të kualifikuara, shërbimet e transmetimit elektronik, shërbimet elektronike të kualifikuara të transmetimit elektronik, autentifikimin e faqeve të internetit, si dhe garantimin e nivelit të lartë të sigurisë për transaksionet elektronike në Republikën Shqipërisë;
Përcakton rregullat dhe metodat për verifikimin e vlefshmërisë së produkteve të gjeneruara nga shërbimet e besuara, vendase dhe të huaja, duke mundësuar aksesin publik për kontrollin e vlefshmërisë së tyre nëpërmjet listave të besuara të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe protokollin on-line të statusit të certifikatave dhe të listave të revokimit të certifikatave;
Regjistron e publikon në faqen zyrtare të tij ofruesit e kualifikuar të shërbimeve të besuara;
Ndërpret përkohësisht, tërësisht ose pjesërisht, veprimtarinë e ofruesit të shërbimeve të certifikimit, kur vërtetohet shkelje e dispozitave ligjore në fuqi për nënshkrimin elektronik, identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara për të ushtruar veprimtarinë e tij;
Regjistron dhe jep statusin “i kualifikuar” për ofruesin e shërbimit të besuar, si dhe mbikëqyr veprimtarinë e tij;
Mbikëqyr e kontrollon palët e treta, në rastin kur transferohen një ose më shumë nga detyrat e shërbimeve të besuara.
Realizon kontrollin/monitorimin e zbatimit të standardeve dhe të procedurave të lëshimit të certifikatave të kualifikuara nga ofruesit e kualifikuar të shërbimit të besuar.
Mbikëqyr procesin e lëshimit të certifikatave të kualifikuara elektronike dhe implementimin e nënshkrimit elektronik në shërbimet e administratës publike.
Garanton zbatimin e standardeve për identifikimin e sigurt të individëve, të cilëve u lëshohen certifikatat e kualifikuara elektronike.
Harton rregullore dhe udhëzime në përputhje me standardet ndërkombëtare të fushës, me qëllim garantimin e transaksioneve të sigurta elektronike dhe rritjen e nivelit të sigurisë kibernetike në infrastrukturat e rëndësishme dhe kritike të informacionit në Republikën e Shqipërisë.




