Vengu: Hapen programet master në Akademinë e Forcave të Armatosura, fuqizojmë Agjencinë Kibernetike
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu ishte sot në një takim me studentë dhe pedagogë të programeve master në Akademinë e Forcave të Armatosura në garnizonin “Skënderbej”.
Ministri u shpreh se këto programe janë një mundësi e mirë përfshirjeje jo vetëm për Forcat e Armatosura, por edhe civilët.
“Ka nisur tashmë programi i masterit dhe shoh që keni një përbërje të shumëfishtë, jo vetëm anëtarë të Forcave të Armatosura dhe agjenci të tjera shtetërore.
Duam ta fuqizojmë këtë program, t’ju qëndrojmë sa më pranë nevojave dhe të përpiqemi të kemi sa më shumë profile në pjesën kibernetike, si nga Forcat e Armatosura, por edhe civilët të kenë një mundësi karriere më të madhe seç është sot.
Jemi të vetëdijshëm se inovacioni sot është në fushën civile, nuk jemi më në Luftën e Ftohtë, aty e bënin luftën Forcat e Armatosura.
Sot inovacionin e bën civili dhe ne duhet të hapim dyert dhe të përfshijmë sa më shumë kontributet të ekspertëve që vijnë nga Forcat e Armatosura”, tha ministri Vengu.
Pedagogu i programit master u shpreh se ka afërsisht 20 studentë të regjistruar dhe mes tyre janë civilë dhe nga FA. “Është një vit i mbarë, sepse kemi master profesional, por është hapur edhe masteri shkencor.
Krahas mbështetjes suaj si ministër, shefit të Forcave të Armatosura dhe gjithë investimit, logjistika dhe infrastruktura është e re. Klasat kanë pajisje të fjalës së fundit, laptopë të avancuar.
Ne pretendojmë të kalojmë nga mësimi tradicional në lidhjet online me personalitete apo të ftuar të huaj që mund të japin leksione për tema të caktuara”, u shpreh pedagogu në fjalën e tij.
Ministri Vengu shtoi se ministria që ai drejton është e angazhuar në fuqizimin e Agjencisë Kibernetike.
“Po fuqizojmë Agjencinë Kibernetike në nivel komande duke integruar edhe ofrimin e shërbimeve dhe elementët operacionalë, përderisa është master profesional të kenë mundësi të jenë të ekspozuar ndaj kësaj komande të re.
Ristrukturojmë kapacitetet kibernetike në Forcat e Armatosura, ndërsa në NATO, 40% e përbërjes së kësaj agjencie është civile.
Jam i vetëdijshëm që strukturat ushtarake kërkojnë vetëmohim, dedikim dhe është një realitet që duhet ta pranojmë, ndaj po krijojmë porta hyrëse që civilët të angazhohen pjesën rezerviste, të jenë më fleksibël në kontrata etj”, cilësoi Vengu.
Pedagogu shtoi se në masterin shkencor janë të regjistruar 30 studentë dhe pjesa më e madhe e tyre vijnë nga radhët e civilëve.
