Pastrimi i parave përmes kriptovalutave, prokurorë të SPAK shkëmbim përvojash me ekspertë italianë

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizoi sot një takim shkëmbimi përvojash pranë Ambasadës së Republikës Italiane në Tiranë, i cili kishte në qendër hetimet financiare të lidhura me pastrimin e produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale, përmes kriptovalutave.

Kjo veprimtari kishte për synim shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira në këtë fushë ndërmjet agjencive ligjzbatuese italiane dhe shqiptare.

Në këtë veprimtari merrnin pjesë prokurorë dhe hetues nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), si dhe zyrtarë të Policisë së Shtetit Shqiptar dhe Agjencisë Shqiptare të Inteligjencës Financiare.

Ata u përfshinë në diskutime të thelluara me synim shkëmbimin e njohurive dhe përmirësimin e strategjive hetimore.

Një grup ekspertësh nga Bërthama Speciale e Guardia di Finanza për Privatësinë dhe Mashtrimin Teknologjik, pjesë e të cilit ishte edhe Komandanti i saj, zyrtarë nga Shërbimi i Policisë Postare – Policia e Shtetit Italian dhe Njësia Kundër Falsifikimit Monetar e Armës së Karabinierëve ndanë ekspertizën e tyre.

Ata folën rreth metodave dhe teknikave të hetimit të krimeve komplekse financiare të kryera përmes valutave dixhitale, duke iu ofruar njohuri thelbësore operative agjencive shqiptare ligjzbatuese.

Veprimtaria u organizua me mbështetjen e Zyrës Ndërlidhëse të Policisë Italiane dhe Zyrës së Menaxherit Rajonal të Guardia di Finanza për Ballkanin Jugperëndimor pranë Ambasadës Italiane në Tiranë.

Kjo nismë vuri në dukje rëndësinë e zhvillimit të vazhdueshëm profesional dhe bashkëpunimit ndërkombëtar për rritjen e aftësive të agjencive ligjzbatuese në përballje me sfidat që paraqesin krimet moderne financiare, siç është pastrimi i parave përmes valutave dixhitale.