MBZHR: Asnjë rast i ri i murtajës afrikane të derrave që prej 25 nëntorit

Ministria e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural bën të ditur se prej datës 25 nëntor, nuk ka pasur asnjë rast të ri të shfaqjes dhe dyshimit për sëmundjen e Murtajës Afrikane të Derrave.

MBZHR konfirmoi për praninë e sëmundjes së murtajës afrikane të derrave në njësinë administrative Shëngjin, Lezhë, në fshatin Mal i Rrencit, në lartësinë e Kodrës së Zezë, në koordinatat, pasi disa gjuetarë konstatuan derra të egër të ngordhur.

Sipas MBZHR-së, pas marrjes së mostrave sipas procedurave teknike u krye procesi i groposjes së kadavrave dhe mbetjeve të tyre dhe dezinfektimi i mjedisit përreth.

Për zbulimin e hershëm të kësaj sëmundjeje dhe kufizimin e saj, Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve ka marrë masat për përcaktimin e zonave të mbrojtjes dhe mbikëqyrjes, të cilat bëjnë pjesë në rrezet 3 km dhe 10 km.

Drejtoria e Përgjithshme e Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve gjatë 21 ditëve të karantinës së këtyre zonave organizoi takime periodike me përfaqësues së pushtetit vendor, Shoqatën e Gjuetarëve, Agjencinë e Zonave të Mbrojtura dhe Agjencinë e Mjedisit, për informim dhe koordinim rreth situatës.

Në këtë periudhë 5 grupe pune monitoruan çdo ditë situatën në terren duke kontrolluar 107 mjete të transportit të kafshëve për lëvizjen e kafshëve të gjalla në bashkëpunim me Policinë e Shtetit.

Janë monitoruar 976 ferma me 1425 krerë, nga të cilët u matrikulluan 493 krerë derra. Gjatë procesit të inventarizimit të fermave janë identifikuar 33 ferma të reja: me 121 krerë derra dhe 24 dosa.

Në zonën e mbrojtur (vatra, zona tampon), ka përfunduar inventarizimin e zonës që në datën 30.11.2024, por çdo ditë në vijim është bërë rikontroll i zonës, dhe shtrirje e tij për verifikimin e ngordhjeve të reja apo për derra me shenja klinike. Situata paraqitet e qëndrueshme dhe nga sot zona del nga gjendja e karantinës.

Pavarësisht, zgjidhjes së shpejtë dhe parandalimit efikas të rastit, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural udhëzon fermerët në të gjithë vendin të marrin masa për zbatimin e biosigurisë në fermat dhe mjediset ku ata mbarështojnë derra, si dhe të kryejnë blerjen apo lëvizjen e derrave, vetëm pasi të jenë autorizuar nga veterineri zyrtar i shërbimit me Certifikatën Veterinare të Lëvizjes së Kafshëve.