Përfundimi i procesit të vetingut, Ilia: KPK 805 vendime, 373 konfirmime në detyrë dhe 268 shkarkime

Roland Ilir, kreu i Komisionit të Pavarur të Kualifikimeve deklaroi sot se, KPK verifikoi 805 subjekte rivlerësimi, nga të cilat 373 vendime u dhanë për konfirmim në detyrë, 268 vendime u dhanë për shkarkim nga detyra.

Në konferencën “7 vite rivlerësim kalimtar i gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, që shënon përfundimin e mandatit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe institucionit të Komisionerevë Publikë, Ilia falënderoi Kuvendin për besimin dhe partnerët ndërkombëtarë të SHBA-së dhe BE-së.

“Reforma në sistemin e drejtësisë erdhi si rezultat i domosdoshmërisë për të konsoliduar pushtetin gjyqësor në disa aspekte dhe për të rikthyer besimin e publikut.

Për këtë arsye rivlerësimi i magjistratëve u bë një kusht i domosdoshëm për reformimin e thellë të këtij sistemi, detyrë kjo që iu besua 3 organeve, Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, institucionit të Komisionerëve Publikë dhe Kolegjit të Posaçëm të Apelimit”.

“Gjatë kësaj periudhe Komisioni kreu rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve duke respektuar parimin e procesit të rregullt ligjor, proporcionaliteti, barazisë dhe efektivitetit”, tha ai.

“12 anëtarët e Komisionit, së bashku me këshilltarët dhe stafin administrativ u angazhuan maksimalisht për një proces verifikimi të paanshëm, profesional dhe me standardet sa më të larta”, tha ai.

Ilia nënvizoi se, “nga shkurti i vitit 2018 deri në 21 nëntor të vitit 2024, datë kjo që shënon edhe vendimin e fundit të Komisionit u verifikuan 805 subjekte rivlerësimi, nga të cilat 373 vendime u dhanë për konfirmim në detyrë, 268 vendime u dhanë për shkarkim nga detyra, 105 vendime për ndërprerje procesi, 8 vendime për pushimin e procesit, 49 vendime për përfundimin e procesit pa një vendim përfundimtar dhe 2 vendime për pezullimin nga detyra”.

Ai evidentoi se, “deri tani, pra 805 vendime të dhëna nga KPK-ja, 89% e vendimeve të KPK-së kanë mbetur të pandryshuara dhe vetëm 11% e tyre kanë ndryshuar, tregues ky shumë i rëndësishëm për qëndrueshmërinë e vendimmarrjeve të shkallës së parë të vetingut”.

Ilia gjithashtu falënderoi  institucionet me të cilët KPK ka bashkëpunuar gjatë këtij procesi dhe Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit.

Ilia shtoi se, “kryerja e rivlerësimit nuk ka qenë e lehtë, ka qenë një proces intensiv, delikat dhe me ngarkesë të lartë, si profesionale ashtu dhe personale për shkak të detyrës që secili nga ne anëtarët e organeve të vetingut ka mbajtur, por pavarësisht vështirësive që nuk kanë qenë të pakta, anëtarët e Komisionit janë mbështetur dhe asistuar nga vëzhguesit e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, të cilëve iu jemi mirënjohës për bashkëpunimin dhe ekspertizën e tyre”.

Ilia gjithashtu falënderoi edhe qytetarët shqiptarë, të cilët theksoi ai, “kanë luajtur një rol të rëndësishëm, përmes 6620 denoncimeve të përcjella pranë Komisionit kanë kontribuuar në kryerjen e një procesi sa më të drejtë dhe gjithëpërfshirës”.

Ai theksoi se, “jemi të vetëdijshëm se ndërmarrja e reformës në drejtësi, kryerja e plotë e procesit të vetingut me kontribut direkt në forcimin e sundimit të ligjit, si dhe konsolidimin e shtetit të së drejtës do të shërbejë në avancimin më të shpejtë të Shqipërisë në integrimin drejt BE-së”.

“Pas kësaj eksperience të gjatë dhe përfundimit me sukses të këtij procesi anëtarët e KPK-së mbeten të gatshëm të japin kontributin e tyre në detyra të tjera që do t’iu besohen”, tha Ilia.