Krasniqi takim me Tarran: OSBE, ekspertizë AMA-s për përshtatjen e akteve të reja ligjore të BE-së
Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Armela Krasniqi priti në një takim kreun e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadorin Michel Tarran, shefin e Departamentit të Demokratizimit, Blerim Vela dhe zyrtarin e lartë për Mediat, Dane Koruga.
Gjatë takimit, Krasniqi iu përgjigj interesit të tyre mbi punën e AMA-s, sfidat me të cilat përballet aktualisht, metodologjinë që përdor ky institucion, sipas përcaktimeve të KQZ-së, për monitorimin e zgjedhjeve dhe programet e punës për të ardhmen e afërt.
Në një postim në rrjetet sociale, Krasniqi theksoi se “diskutuam gjithashtu mbi ndryshimet e kryera ligjore në ligjin organik të AMA-s, për përshtatjen me Direktivat dhe akte të tjera të rëndësishme të BE-së, si Akti i Shërbimeve Digjitale (DSA) dhe ato më të fundit, si EMFA (Akti Europian i Lirisë së Medias). Koherenca me praktikat ligjore europiane, përshtatja e tyre me realitetin mediatik shqiptar për rregullimin e mëtejshëm të këtij tregu, shkëmbimi i eksperiencave dhe përvojave me partnerët ndërkombëtarë, janë një nga prioritetet e punës tonë”.
“Falënderuese për vlerësimet e larta dhe gatishmërinë e shprehur nga Ambasadori Tarran për të mbështetur punën tonë në vazhdim, qoftë në ekspertizë për transpozimin e akteve të reja ligjore të BE-së, në legjislacionin tonë, qoftë në aktivitete të përbashkëta që synojnë të zgjerojnë bashkëpunimin edhe me institucione të tjera europiane”, tha Krasniqi.