VIDEO/ Kalaja kallëzon në SPAK Ermal Kapllanajn: Ish-kryepolici i Veliajt fshehu dhe nuk deklaroi pasurinë për vite me radhë

Avokatja dhe anëtarja e Kryesisë së PD-së Adriana Kalaja ka bërë një denoncim në SPAK për ish-drejtorin e Policisë bashkiake të Tiranës, Ermal Kapllanaj për mosdeklarim dhe fshehje të pasurisë.

Kujtojmë se kallëzimi i Kalasë vjen pas denoncimit në “Ora News” të rastit në fjalë, ku Ermal Kapllanaj, ish-kryepolici i Erion Veliajt, nuk ka deklaruar pasurinë për 7 vite.

Gjatë kësaj periudhe vjehrri i tij, Musa Memoçi, u bë aksioner në rrjetin e supermarketeve “FreshMart”.

Kjo situatë ngre dyshime mbi burimin e të ardhurave dhe ndikimin e Kapllanaj në dhënien e lejes për magazinat e kompanisë, duke u bërë objekt për një hetim të mundshëm nga SPAK-u.

''Sipas denoncimeve që na kanë mbërritur në PD, ish drejtuesi i policisë bashkiake për një periudhë 7 vjeçare, që ka qenë në krye të policisë bashkiake ka refuzuar të deklarojë pasurinë qoftë të tijën, qoftë të personave të lidhur me të.

Por mbi të gjitha po sipas këtyre denoncimeve vjehrri i Ermal Kapllanajt është futur me 33% në vitin 2020 në një nga supermarketet më të fuqishme që veprojnë në vend dhe ne kemi ngritur dyshime të arsyeshme se jemi përpara jo vetëm konsumimit të veprave penale të shpërdorimit të detyrës, të korupsionit pasiv por edhe pastrimit të produkteve të veprave penale sepse nuk narezulton që vjehrri i Kapllanajt nuk ka pasur aq pasuri sa të blejë 33% të aksioneve të këtij rrjeti supermarketesh’’, tha Kalaja. 

VIDEO -DENONCIMI I "ORA NEWS"/ 22 Nëntor 2024 - Ermal Kapllanaj refuzon të deklarojë pasurinë

VIDEO -DENONCIMI I "ORA NEWS"/ 2 Dhjetor 2024 - Vjehrri i Ermal Kapllanajt, biznesmen! A fshihet ish-drejtori i Policisë Bashkiake pas bizneseve? SPAK duhet të fillojë hetimet