Andia Ulliri: Debati i TikTok nuk adreson sigurinë në shkolla; Kodifikimi nismë e PD

Deputetja e Partisë Demokratike, Andia Ulliri në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare u shpreh se turi i konsultimeve publike të ndërmarra nga qeveria për kufizimin e rrjeteve sociale nuk adreson problematikën e sigurisë në shkolla.

Ulliri, gjatë një interviste për ATSH, thekson se duhet të ketë shtim të numrit të oficerëve të sigurisë dhe shtimin e aktiviteteve jashtëshkollore që do ndikonin në kufizimin e përdorimit të celularëve. Ulliri po ashtu tha se ka programe të caktuara smartphone që janë të dizenjuar për të miturit dhe ndihmojnë në edukimin e tyre.

E pyetur me debatin për “TikTok”, Ulliri tha; “Ky është një diskutim i cili u hodh në “shesh” nga Kryeministri për të mos adresuar vërtet problemin real. Mund të zhvillojnë seanca apo fushata konsultimi por dhe vetë qeveria siduket nuk është koherente në lidhje me avancimet teknologjike. Shumë programe sociale janë dizenjuar për fëmijë si snapchat Kids apo youtubeKids për një arsye, sepse besohet se teknologjia ka nevojë për filtra sigurie në shkolla dhe në shtëpitë e familjeve shqiptare”, tha Ulliri.

“Fenomeni social i dhunës dhe bullizimit në shkolla është një fenomen i paadresuar dhe sot vetë drejtuesit e shkollës nuk kanë asnjë deklratë për paaftësinë e treguar ndaj mbrojtjes së fëmijëve”, thekson Ulliri.

“Nuk e gjykoj se duhen ndaluar, por gjykoj se ka mekanizma dhe aparatura  të cilat mund të përdoren në ambientet e shkollës për të frenuar përdorimin e celularëve. Së pari me angazhimin e fëmijëve në aktivitete pas mësimit në shkolla, informimi i tyre në lidhje me median sociale dhe përdorimin e përgjegjshëm të teknologjisë. Sot fëmijët qëndrojnë shumë pak orë në shkollë dhe kjo sjell dhe probleme shtesë. Disa orë më tepër do mundësonin rritjen e kapaciteteve për aktivitete për fëmijë”, vijon Ulliri.

“Këtu mendoj ka nevojë të jetë diskutimi sot, pse këta fëmijë nuk angazhohen më shumë me përmirësimin e vetvetes? Sepse askush sua ofron këtë mundësi!”, nënvizon ajo.

Ulliri tha gjithashtu se, duhet të ketë shtim të filtrave të sigurisë në shkolla dhe monitorim të videove dhe materialeve të cilat fëmijët shohin në rrjetet sociale, por që kurrsesi nuk duhet të ekspozohen.

Deputetja e PD u shpreh po ashtu se çështja e psikologëve dhe punonjësit social në shkolla kanë nevojë për më shumë vëmendje. “Rasti i mungesës së seancës me psikologun pas ngjarjes në Fan Noli ku fëmijët kishin më shumë nevojë tregon një nga rastet e shumta ku psikologu i shkollës nuk është gjëkundi.  Jam pro shtimit të sigurisë në shkolla me persona të cilët kanë kryer trajnimet e duhura dhe marrin vlerësimin e duhur për të ushtruar detyrën e tyre” tha ajo duke iu referuar oficerëve të sigurisë.

Ulliri tha se të rinjtë dhe fëmijët nuk janë prioritet i qeverisë dhe për këtë solli në vëmendje dhe propozimet e PD për buxhetin, që u rrëzuan nga mazhoranca.

“Rinia dhe arsimi nuk janë prioritet i qeverisë, kjo u dëshmua dhe në propozimet buxhetore ku nëse e analizojmë nuk ka asnjë rritje reale në financimin për arsimin dhe rininë, shtoj këtu dhe fëmijët.

Politikat e qeverisë deri më sot kanë rezultuar si klienteliste dhe diferenca mund të bëhet kur vihen përballë politikave apo mbështetjes së ofruar nga BE për Shqipërinë.  Nuk mendoj se politika si taksimi i profesioneve të lira dhe mungesa e strategjisë për frenimin e emigrimit përkthehen në punë të mirë nga qeveria dhe siduket vetëm qeveria mendon se këto mekanizma po funksionojnë.

Propozimet e mia janë mbi krijimin e një strategjie reale ku analizohet tregu i punës dhe shtohet financimi dhe politikat lehtësuese për bizneset dhe sektorët e harruara nga qeveria.  Mbi një analizë të thelluar ne mund të faktojmë zonat ku biznesi dhe të rinjtë që operojnë biznese inovative mund të mbështeten duke garantuar dhe standardet minimale si energjia elektrike apo rruga e shtruar. Këto janë dhe shqetësimet e banorëve të zonës nga ku unë jam zgjedhur”, thekson Ulliri.

Duke folur mbi problematikat e zonës ku ajo është zgjedhur si deputete, Ulliri tha se “vitet e fundit rritja e emigrimit dhe ulja e shpresës duke pare mungesën e investimeve ka ulur dhe dëshirën e të rinjve në zonën time elektorale për të kontribuar në vend.  Patjetër vlerësoj faktin se shumë biznese në zonë kanë mundësuar punësimin e banorëve dhe të rinjve prej vitesh dhe kjo ka qenë shtylla kryesore e frenimit të emigrimit por sot pas 12 vitesh ku shohim se Fushë Kruja dhe Kruja nuk kanë investimet e duhura si parqet për fëmijë, hapësirat sportive apo dhe qendra kulturore dhe biblioteka nuk mund të mohojmë se ka një problem të thellë me politikat dhe investimet vendore që ndiqen”.

Ulliri tha se kodifikimi në shkolla është nisëm e PD. “Është nismë e dëgjuar duke qenë se ka nisur dhe në qeverisjen e Partisë Demokratike por sot shoh se bëhet shumë propagandë për digjitalizim dhe smart Labs ndërkohë në shkollat e Shqipërisë nuk ka energji elektrike apo ambientet e duhura për këto investime duke e kthyer në politikë në letra dhe jo ndryshime reale. Do shtoja që ka nevojë që institucionet kontrolluese të shtojnë aktivitetin e tyre në monitorimin e ambienteve dhe logjistikës për të arritur më pas te ndikimi i fëmijës ndaj këtyre nismave. Sot fëmijët shqiptarë janë të pambrojtur dhe kjo është cituar në shumë raporte ndërkombëtare.

Si mund të mendojmë vetëm në sipërfaqe kur ka kaq probleme në shoqërinë tonë? “

Ulliri tha se PD është e gatshme të bashkëpunoj me qeverinë dhe mazhorancën për hartimin e politikave në dobi të të rinjve dhe fëmijëve. “Patjetër që po, por sot vëmendja e qeverisë nuk është te çështjet për fëmijët. Amendamentet tona u hodhën poshtë kur u kërkua financim shtesë për këtë kategori”, nënvizon Ulliri.

Sa i takon çështjes së dezinformimit, Ulliri thekson se qeveria është e papërgatitur për këto sfida.

“Kam qenë në një aktivitet i cili synonte  rritjen e vëmendjes ndaj ekspozimit me dizinformacuin rus dhe kinez dhe mendoj që qeveria jonë është e papërgatitur për të siguruar që këto ndërhyrje të mos ndodhin kaq haptazi. Është fenomen shqetësues dhe po ndodh kudo. Duhet të ketë më shumë informacion, është diçka që personalisht e kam propozuar dhe kërkuar dhe në seanca plenare pasi kjo minon në një mënyrë demokracinë dhe lirinë e qytetarëve për informim të drejtë dhe cilësor”, u shpreh Ulliri.

Sa i takon komisionit të Posaçëm Parlamentar të dezinformimit, Ulliri nënvizon se ai komision nuk mund të ketë vlerë për sa kohë vetë mazhoranca nuk është transparente.

“Komisioni i dezinformimit u propozua nga pala e cila sot po kontrollon informacionet publike, e cila mban peng informacionet dhe kur kërkohen nga deputetë apo qytetarë, kjo duke qenë qeveria socialiste e cila sot nuk ka treguar transparencë në shumë proçese dhe ende e bën nuk më garanton mua dhe as qytetarëve se ai Komision është aty për të krijuar një hapësirë për një media të lire”, u shpreh Ulliri.