Xhixho: Rilindja nuk përfaqëson socialistët e vërtetë. Do ndëshkohet masivisht e nuk do të marrë më vota qyl
Zëvendëspresidentja e Partisë së Lirisë Erisa Xhixho në takimin me strukturat drejtuese në Fier u shpreh se "Rilindja" nuk përfaqëson socialistët e vërtetë, dhe si e tillë ajo do të ndëshkohet masivisht e nuk do të marrë më vota qyl në Fier.
FJALA E XHIXHOS
Shumë kënaqësi të jem në Fier. Kejdi ka qenë kandidatja jonë për deputete dhe drejtuese fushate ne 2021. Po bashkë kemi kaluar sfidën e 2017. I jam mirënjohëse atij kandidimi për shumë nga miqtë që unë kam ende në Fier. Një nga qarqet që më ka dhuruar një eksperiencë të jashtëzakonshme. Kudo e them: nëse kalon qarkun e Fierit mund të kandidosh në çdo qark tjetër. Është një test shumë i fortë. Së pari ju falënderoj shumë për këtë solidaritet e mbështetje që na keni dhënë, që i jepni Partisë së Lirisë.
Të qenit në opozitë sot është një moment atdhetarizmi. Është shumë e lehtë të bësh kompromiset e ditës e të jesh pjesë e pushtetit. Vendi ka nevojë për opozitë të vërtetë. Është duke rrëshqitur në mënyrë të tejskajshme drejt një regjimi autokracie dhe diktature në të gjitha format e saj. Ndaj ngritja në krye të detyrës qytetare të secilit prej nesh, e sidomos të anëtarëve e simpatizantëve të PL, është një moment i jashtëzakonshëm vlerësimi nga ana ime, por jo vetëm. Padyshim që ky është një qark i majtë. Por a përfaqësojnë këta socialistët e vërtetë?
Socialistët e vërtetë që nuk i kanë më fëmijët, që vuajnë vetminë sepse u janë larguar jashtë vendit. Pensionistët nuk kanë pension të mjaftueshëm për të përballuar jetesën, edhe pse kanë votuar çdo vit PS-në, me besnikëri të hekurt. Çfarë ktheu mbrapsht në 12 vjet qeverisje kjo parti? Që është Rilindja jo PS. I ka lënë me pensionet më të ulëta në rajon. Tallet me ta se i konsideron vota qyl.
Tallet duke ua indekuar pensionet me 750 lekë të vjetra në muaj që nuk është as një bukë. Çfarë bën me buxhetin e 2025? Tallet dhe thotë do jap bonusin, komplet elektoral, për të blerë varfërinë. Ndaj pensionistët duhet të jenë shumë të kujdesshëm në këtë 11 maj. Pensionistët përfaqësojnë një gjeneratë që ka dhënë shumë për këtë vend.
Vij nga një familje dëshmorësh, nga një familje si pasardhëse veteranësh. Shumë prej pensionistëve janë pasardhës të veteranëve të LANÇ dhe kjo qeveri nuk u jep një pension dinjitoz. Sa Kosova, që e ka 350 euro mesataren e pensionit mujor. Këtu është 160 euro mesatarja po ka pensione 100 mijë lekë, 70 mijë lekë të vejtra.
Çfarë mund të bëjë një pensionist me aq? Përsëri në buxhetin e sapomiratur, nuk pranoi asnjë prej 12 amendamenteve të PL. Kërkuam rritje pensionesh, pagash, të buxhetit të arsimit, shëndetësisë. Asnjë nuk u pranua. Asnjë rritje pensionesh! Sepse nuk i ka pasur asnjëherë prioritet. Të mos flasim për kushte më të mira sociale, po flasim për mbijetesë. Shyqyr që kanë fëmijët në emigracion që i mbajnë dhe që ende kemi këtë traditën familjare shumë të rëndësishme, që ata arrijnë të shtyjnë muajin. Se me çmimet që janë, ilaçet që u duhen, e kanë të pamundur të mbijetojnë.
Po vazhdojmë me arsimin si angazhimi ynë kryesor. Presidenti Meta ka qenë i pari që ka kthyer vëmendjen te pensionistët. Me një paketë konkrete te pesë prioriteteve, për dyfishim pensionesh, indeksim të vazhdueshëm, rimbursim barnash etj. Është një paketë e dedikuar për pensionistët. Një prioritet tjetër ku dua të ndalem është edukimi.
Ju investoni çdo gjë për edukimin e fëmijëve tuaj. Atë që kam parë te familjet fierake dhe te studentët e mi në Tiranë kur vijnë për Juridik, është që janë më ekselentët, më të përkushtuarit. Por çfarë ka bërë kjo qeveri? Në 2013 tha do e rris buxhetin e arsimit, do e çoj në 5%. Mashtrim! Jemi vendi me buxhetin më të ulët për arsimin në rajon. Prandaj ndodhin ato ngjarje, nuk kemi siguri për fëmijët që i çojmë në shkolla. Nuk dimë çfarë edukojmë.
Analfabetizmi funksional është në rritje. Fëmijët tanë nuk kuptojnë çfarë lexojmë. Kurrikulat janë të dështuara dhe këtë e provoi rezultati i PISA-s. Jemi në vendin e 69 nga 80. Pikiatë në disa lëndë. Fëmijët taë nuk marrin arsim cilësor për të përballuar tregun e punës, por nuk kanë as edukimin e mjaftueshëm qytetar.
Një nga pikat tona është dyfishimi i buxhetit për arsimin. Duhet të kthehet në prioritet kombëtar. Investimi në arsim nuk është kosto, është investim për të ardhmen e vendit, për të pasur kualifikimin e duhur, për të orientuar të rinjtë në sektorë kyçë të zhvillimit të vendit si bujqësia, teknologjia, turizmi. Thonë kemi digjitalizuar shkollat.
E dini sa është aksesi në wifi në shkolla? 5%! Një në 20 nxënës ka akses në kompjuter. Këto janë shifrat kokëfortë. Krenohen me llaç e tulla ndërkohë që po boshatisen shkollat. Janë larguar nxënësit, jem në krizë për rmësues sepse pagat e tyre janë të pamjaftueshme për një jetë dinjitoze. Prandj ne e kemi prioritetin tonë shumë të madh arsimin.
Një moment tjetër te prioritetet tona është bujqësia. Ky është një qark, ku bujqësia do të duhej të lulëzonte. Fermerët do të duhej të subvencionoheshin. Buxheti i bujqësisë do të duhej të përmbushej. Edhe në 2025 është i papërfillshëm për të përballuar fermeri vështirësitë me të cilat haset. Çfarë bëjnë këta? Vjedhin fondet e BE për fermerët! Vodhën fondet e IPARD-it, fondet e takspaguesve të qytetarëve të BE. Le më me taksat e shqiptarëve të varfër.
Nuk e kanë pasur kurrë prioritet byjqësinë, por e kanë parë si moment për të vjedhur e për të plaçkitur. Të vjedhësh e të plaçkisësh qyetarët më të varfër në Europë është krim. Kjo rilindje po e bën këtë gjë. Ju them me bindje se buxheti i 2025, por dhe çdo tjetër që ka kaluar në kuvend, punon për 5% të qytetarëve: për oligarkët dhe klientët e tyre. Se para ka! Buxheti shtë shtuar se është rritur TVSH. Pra nga xhepat tanë kanë dalë prapë para.
Por nuk shkojnë as për arsimin, as për shëndetësinë. Raporti i fundit i OBSH: 60% e shpenzimeve del nga xhepat tanë për shëndetësinë. Barna nuk ka e kushtet mungojnë. Këta thanë t’i ndalojmë studentët si në kohën e komunzimit të mos ikin jashtë. Kështu duan ta zgjidhin problemin e shpopullimit.
Dua të ndalem në dy momente të situatës aktuale. Për të kuptuar debatin e fundit në parlament për rastin Xhaçka, që të kuptoni që nuk kanë lidhje as me shtet as me Kushtetutë, as me ligj, as me shtet ligjor. Çfarë ndodh në Kuvend? Dy vendime të Gjykatës Kushtetuese nuk i zbaton Kuvendi. Mbrohet Xhaçka sepse firmën e VKM për investitor strategjik e ka vënë Rama.
Normal që do mbrojë Xhaçken që të mos shkojë të gjykohet a është i papajtueshëm apo jo mandati i deputetit me konfliktin e interesit. Komisioni i Venecias e tha qartë vendimet e GJK janë të detyrueshme. Por këta nuk duan t’ia dinë. Çfarë mesazhi u japin qytetarëve? Që nëse nuk të pëlqen një vendim gjykate, mos e zbatoni? Kur nuk e zbaton Kuvendi, pse duhet një qytetar i thjeshtë?! Janë qasje antishtet. Ka rënë reforma në drejtësi, shteti ligjor, kontrolli e balanca e pushteteve.
Në të gjithë këtë situatë, mos të përmendim bandat dhe krimin e organizuar, e dosjen Çyrbja, ku doli se krimi i organizuar bashkëpunon me politikën ne qarkun ku kandidon kryeministri. Vendoset lista nga krimi. Socialistët duhet të kuptojnë që ky kryeministër i uli ata me krimin e organizuar. Këtë ka bërë ai, i ka përdhosur e turpëruar. Duhet ndërgjegjësim që mosbindja civile të vazhdojë. Bashkohemi me protestën e 23 dhjetorit në Tiranë së bashku me opozitën e bashkuar. Është një betejë që duhet ta fitojmë sepse jemi në anën e duhur të historisë. Për këtë të jeni të bindur. Por do të duhet të luftojmë sepse nuk kemi përballë një qeveri, por një regjim. Në çdo shtëpi e lagje nuk duhet të ndalemi deri në 11 maj. Nuk janë zgjedhjet e radhës. Është betejë mes dy botëve. O do jetojmë në regjim, o do sjellim hstetin ligjor. Është betejë e të gjithëve ne.
Prandaj në këtë situatë presidenti Meta mbahet i izoluar politikisht. Është një dosje që nuk ka asnjë fakt, provë apo akuzë penale. E vetmja arsye pse mbahet është për efekt elektoral. Siç i dini ju, aftësinë e tij organizative frymëzuese politike, ashtu e di edhe kundërshtari. Për ta aneksuar në këto zgjedhje e mbajnë të izoluar ne ekstrem. Për këtë arsye bënë atë arrestim të paligjshëm në kundërshtim me kushtetutën, Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut. Ashtu siç e kemi thënë, jemi duke përgatitur edhe dosjen që do të shkojë deri në Strasburg dhe kemi ngritur grupin në PL që do të bëjë sensibilizimin ndërkombëtar të çështjes Meta. Nuk është thjesht çështje e tij. Kur i ndodh ish-kryeministrit e ish-presidentit kjo padrejtësi, imagjinoni çfarë ndodh me qytetarët e thjeshtë. 135 mijë dosje janë stok. Ndërrojnë jetë pensionistët pa marrë drejtësi. E gjithë paligjshmëria që ndodh në proces, që vetëm proces i rregullt ligjor nuk është.
Ndaj izolimi i zotit Meta duhet të jetë forca jonë për të vazhduar edhe më të fortë përballë këtij regjimi. Për të dëshmuar që PL është në këmbë dhe është përballë edhe më e fortë kundër kësaj keqqeverisjeje. Dhe të jeni të bindur se fitorja do të fillojë nga socialistët në zgjedhjet e 11 majit. Nga gjithë kjo trysni dhe presion që ata u kanë bërë qytetarëve.




