Vjehrri i Ermal Kapllanajt, biznesmen! A fshihet ish-drejtori i Policisë Bashkiake pas bizneseve? SPAK duhet të fillojë hetimet

Ermal Kapllanaj, ish-drejtori i Policisë Bashkiake të Tiranës, nuk ka deklaruar pasurinë për 7 vite. Gjatë kësaj periudhe vjehrri i tij, Musa Memoçi, u bë aksioner në rrjetin e supermarketeve “FreshMart”. Kjo situatë ngre dyshime mbi burimin e të ardhurave dhe ndikimin e Kapllanaj në dhënien e lejes për magazinat e kompanisë, duke u bërë objekt për një hetim të mundshëm nga SPAK.

Ligji dhe rregulli ishin kryefjala e Ermal Kapllanajt përgjatë 9 viteve që ai ishte në krye të Policisë Bashkiake te Tiranës.

Por me sa duket ligjin duhet ta zbatonin të moshuarit që dilnin për të shitur perime, sepse vetë Kapllanaj e shkelte atë duke fshehur pasurinë e tij.

Nga viti 2017 deri ne vitin 2023 numri një i Policisë Bashkiake  nuk ka deklaruar asnjë qindarkë, as nga të ardhurat e tij dhe as nga ato të bashkëshortes.

Edhe pse mosdeklarimi i pasurisë është shkelje penale, Ermal Kapllanaj për 7 vite rresht nuk e ka dorëzuar deklaratën e pasurisë.

Por ajo që të bie në sy gjatë kësaj periudhe është fakti që vjehrri i Kapllanajt, Musa Memoçi në vitin 2020 bëhet aksioner me kuotën 33% në rrjetin e supermarketeve “FRESHMART”.

Zyra qendrore e shoqërisë ndodhet në rrugën “Arkitekt Kasemi” dhe leja e ndërtimit të magazinave është dhënë nga Bashkia e Tiranës në vitin 2019.

A është rastësi që gjatë kohës që Ermal Kapllanaj nuk deklaronte pasurinë, vjehrri i tij bëhet aksioner i një rrjeti të gjerë supermarketesh në Tiranë?

Cili është burimi i të ardhurave të vjehrrit të Kapllanajt, i cili investon në biznese të fuqishme?

Në vitin 2019 a ka ndikuar Drejtori i Policisë Bashkiake në dhënien e lejes së ndërtimit për magazinat e subjektit  “FRESHMART” ku është aksioner vjehrri i tij?

Fakti që Kapllanaj për 7 vite fshehu të ardhurat dhe gjatë kësaj kohe vjehrri i tij bëhet biznesmen është një indicie për Prokurorinë e Posaçme SPAK që të fillojë një hetim të thelluar në lidhje me burimin e të ardhurave.