Paratë e Kryeqytetit, Teliti: Buxheti i propozuar nga Erion Veliaj, djeg paratë e qytetarëve, por nuk djeg plehrat e Tiranës
Nënkryetari i i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Dorian Teliti, në një intervistë për “Ora News” shprehet se buxheti i bashkisë së Tiranës për vitin e ardhshëm është parashikuar 320 milionë euro, në vlera kjo pothuajse të ngjashme me atë të vitit aktual.
Teliti thekson se ajo që mbetet problematike në këtë buxhet, është fakti se ai do të vijojë të jetë në favor të oligarkëve dhe miqve të Erion Veliajt, dhe jo për interesa të qytetarëve të Tiranës.
“Problemi me buxhetin është fakti se ai është instrument në dorën e Bashkisë për t’ia rishpërndarë sërish qytetarëve në formën e shërbimeve dhe investimeve në qytet.
Po të shikojmë nuk ka ndonjë ndryshim në filozofinë e përdorimit të tij nga 1 vit më parë. Kur shikoj buxhetin vërehet se do ketë pagesa për një incinerator që nuk ekziston.
Po ashtu, parashikohen pagesa për koncerte me këngëtarë që në fund të fundit nuk është se sjellin ndonjë dobi në jetën e përditshme të qytetarëve.
Sa i përket “5D”, ajo çka pasur për të marrë i ka marrë, pasi mua nuk më intereson kush futet në burg, më interesojnë ku janë paratë. Dhe kemi të bëjmë me një realitet krejtësisht ndryshe.
Në vend që të ketë kopeshte dhe çerdhe, sot kemi mbi 12 mijë e 100 të punësuar në Bashki, pra me 2.4 fish me administratën e mëparshme, dhe të bësh një rritje të tillë të numrit të punpnjësve, në një kohë që nuk ka asnjë përmirësim në jetën tonë të përditshme, atëherë kjo është diçka abuzive.
Pasi punësohen njerëz që merren me patronazhime, njerëz që paguhen për të bërë spiunllëqe dhe jo punë të caktuar.
Pra janë njerëz të punësuar për të dhënë një produkt në fund të fundit, dhe jo një produkt publik. Dhe nëse punësohen për punë partitë, atëherë le të paguhen nga partitë e tyre, dhe jo nga paratë tona.
Prandaj e kemi thirrur Erion Veliaj të japë llogari si dështoi bashkia me kontrollin e 5D-së të japë llogari si është e mundur që duhet të paguajmë edhe këtë vit 30 milionë euro për një incinerator që nuk ekziston.
Pse fshihet ai për të bërë llogaridhënie? Çfarë faji kanë bërë këta që e shmangin debatin në Këshillin Bashkiak?
Për ta përmbledhur, buxheti i propozuar nga Erion Veliaj dhe ekipi i tij është një buxheti incineratori fantazëm, është një buxhet që djeg paratë e qytetarëve të Tiranës, por nuk djeg plehrat e Tiranës; është një buxhet që nuk i zgjidh hallet dhe problematikat tona; është një buxhet që do i lërë sërish fëmijët tanë në shkolla me dy turne; është një buxhet që do i lërë përsëri fëmijët tanë jashtë kopshteve dhe çerdheve publike; është një buxhet që do të detyroijë çiftet e reja që t’i çojnë fëmijët e tyre në kopshte dhe çerdhe private, duke rritur kostot e tyre të jetesës; është një buxhet që do të vazhdojë të ndihmojë përsëri për betonizimin e Tiranës; është një buxhet i cili nuk më hap mua si qytetar një aks të ri rrugor në Bashkinë e Tiranës; është një buxhet që nuk mbështet sipërmarrjen dhe fermerin; është një buxhet që nuk mbështet asnjë nga problematikat tona. Ama është një buxhet që kur vjen puna tek shokët, miqtë apo oligarkët, i përgjigjet atyre në masën 10 për qind. Kur vjen puna për të na shërbyer ne si qytetarë, fatkeqësisht edhe për vitin 2025 do të vijojmë të jemi të harruar.
Ndaj këshilltarët e opozitës njëzëri, ua siguroj që votën tonë do ta ketë kundër, pasi ka me dhjetëra e dhjetëra arsye për të votuar kundër këtij buxheti skandaloz të propozuar nga Erion Veliaj dhe ekipi i tij”, u shpreh ndër të tjera nënkryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Dorian Teliti.
NDIQNI MË POSHTË ANALIZËN E PLOTË TË BUXHETIT 2025 PËR BASHKINË E TIRANËS NGA DORIAN TELITI



