Sfidat për barazi e Drejtësi sociale/ Komisioneri anti-diskriminim: Problematikat zgjidhen ngadalë

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi analizoi punën e vitit 2024, duke theksuar sfidat në pushtetin vendor dhe transportin publik. U kërkua angazhim më i madh institucional për adresimin e diskriminimit dhe sigurimin e barazisë.

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi zhvilloi  analizën e punës njëvjeçare për vitin 2024, ku u diskutuan arritjet dhe sfidat me të cilat është përballur ky institucion gjatë këtij periudhe në misionin e tij për të siguruar barazi dhe të drejta për të gjithë qytetarët, pa asnjë dallim.

Etleva Tare, specialistë e Zyrës Rajonale të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, theksoi shqetësimet më të shpeshta që kanë shfaqur individë dhe grupe të ndryshme gjatë këtij viti.

‘’Si ankesa kanë qenë në fusha të ndryshme. Janë prekur më tepër personat me aftësi të kufizuara.

Problematikë tjetër kanë qenë vendimet që ne kemi çuar pranë insitucioneve të pushtetit vendor dhe qëndror që ato nuk janë të zbatuara.

Kanë qenë edhe çështjet që i kemi çuar në gjykatën e Strasburgut’’.

Një nga temat kryesore që u trajtuan ishte pjesëmarrja e pushtetit vendor në proceset e zgjidhjes së problemeve që lidhen me diskriminimin.

‘’Kemi një problematikë shumë të madhe të pushtetit vendor sepse është jashtëzakonisht i fragmentuar.

Pra shohim bashki që një shërbim të caktuar e ofrojnë me mundësitë që kanë brenda një cilësie të caktuar dhe shohim bashki të tjera q këtë shërbim nuk e ofrojnë fare’’.

Një shembull i tillë i fragmentimit është transporti publik, i cili ka shkaktuar një numër të konsiderueshëm ankesash.

Interpretimi i ligjit për transportin publik shpesh ka sjellë problematika, duke përfshirë diskriminimin ndaj grupeve të caktuara, si personat me aftësi të kufizuara.

Megjithatë, gjatë takimit u vlerësua se përpjekjet për të ndërgjegjësuar qytetarët mbi të drejtat e tyre dhe mekanizmat e ankimimit kanë dhënë rezultate pozitive, edhe pse ende ka shumë punë për të bërë në këtë drejtim.

Në përfundim, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi kërkoi një angazhim më të madh nga të gjitha nivelet e administratës publike për të adresuar këto çështje dhe për të siguruar që të drejtat e qytetarëve të respektohen dhe mbrohen në mënyrë të barabartë, pa asnjë diskriminim.