Valter Osmani, njeriu “kyç” i tregtisë së pistoletave “Zoran”! Ja tre episodet e grupit të tregtisë së armëve Kosovë - Shqipëri
Valter Osmani, është njeriu “kyç” që organizonte trafikimin dhe tregtinë e armëve nga Kosova në drejtim të Shqipërisë.
Ky aktivitet është shtrirë në një periudhë kohe prej gati dy vjeçare, por prokuroria e Tiranës, ka mundur të dokumentojë ligjërisht vetëm 6 raste.
Bëhet fjalë për dhjetarë pistoleta të tipit “Zoran” që kanë hyrë në Shqipëri, përmes disa formave të ndryshme si me mjete të transportit autobuza dhe kufirit të gjelbër.
Armët kryesisht bliheshin në Turqi dhe Serbi, ndërsa në shumë raste ato montoheshin përmes pjesëve të ndryshme në punishte mekanike në Kosovë.
Hetimet e kryesuara nga prokurori i Tiranës, Drini Pali, nxorën zbuluar në tre raste grupin e armëve, ku fillisht në muajin Shkurt 2024, një agjent i infiltruar i Policisë së Shtetit, ka zbuluar episodin e parë të trafikimit të armëve dhe municioneve nga Kosova në drejtim të Shqipërisë.
Ndërkohë në muajin Maj 2024, rasti i kapjes së 10 pistoletave shënoi episodin e dytë, me arrestimin e 3 personave Edison Thaçi shofer autobuzi, Blerim Krasniqi, Benjamin Shala faturino i autobusit dhe Muhamed Krasniqi.
Ky episod pasoi operacionin e kryer në muajin shkurt 2024, ku policia sekuestroi 203 kallëpë tritoli C4, duke shpallur në kërkim dy kosovarët Dritëro Azemi, Flaka Avdullahi dhe duke arrestuar Rigon Maliqin, Shkëlqim Halabaku dhe Lion Pira, të tre nga Gjilani i Kosovës.
Në të dyja rastet policia ka aktivizuar një agjent policor duke krijuar besim tek trafikantët për blerjen e municioneve dhe armëve, kundrejt një shumë prej 1.500 euro secila.
Ndërsa në rastin e tretë, sërish dy agjentë kanë blerë brenda radhëve të grupit të tregtisë së armëve, 6 pistoleta “Zoran”, me një vlerë që varionte nga 900 euro deri në 1 mijë euro.
Sipas burimeve të policisë, pistoletat janë blerë tek Valter Osmani, Euxhenjo Manushi dhe persona të tjerë. Teksa policia ka marë armët ato janë çuar për ekspertim balistik në laburator shkencor, ku ka rezultuar se armët ishin teknikisht të rregullta.
Në 6 rastet agjentët kanë kryer blerjen e autorizuar nga prokurori, duke dokumentuar nga ana ligjore të 6 episodet.
Operacioni është zhvilluar në bashkëpunim me autoritet e policisë së Kosovës dhe Policisë së Tiranës, ku dy organizmat ligjorë kanë ndarë informacionin për goditjen e grupit në dy anët e kufirit.


