NAMI NË VLORË/ Trafikonin shtetas ukrainas për t'i përdorur si shpërndarës droge, 4 të huaj të arrestuar, 1 në kërkim. EMRAT+VIDEO

Një operacion policor zbuluar dhe goditur dy raste të trafikimit të personave të rritur nga Ukraina. Pjesëtarët e këtij rrjeti rekrutonin shtetas ukrainas në vende të ndryshme të Europës dhe i sillnin në Shqipëri, ku i privonin nga dokumentet e udhëtimit dhe i detyronin të kryenin aktivitete të kundërligjshme, sqaroi në deklaratën për mediat drejtori i policisë së Vlorës, Elidon Çela.

Personat e trafikuar, përmes kërcënimeve dhe dhunës fizike e psikologjike, detyroheshin të angazhoheshin në rekrutimin e individëve të tjerë përmes rrjeteve sociale. Viktimat më pas përdoreshin për veprimtari kriminale, si shpërndarja dhe trafikimi i lëndëve narkotike në vendet europiane.

Drejtori Çela tha se ende nuk ka indicie se mund të jenë përfshirë shtetas shqiptarë apo qytetarë të Vlorës në këtë rrjet, megjithatë ende po hetohet nga prokurori i çështjes Erion Murataj.

U arrestuan 4 shtetas të huaj nga Ukraina dhe Bjellorusia:

Mark Petrenko, 27 vjeç, nga Harkov, Ukrainë

Nazar Khamuilo, 23 vjeç, nga Kiev, Ukrainë

Oleksandr Tavorskyi, 24 vjeç, nga Minsk, Bjellorusi

Marianna Syzareva, 22 vjeçe, nga Kiev, Ukrainë

Ndërkohë, shtetasi K. M., 35 vjeç, banues në Poloni, është shpallur në kërkim.

Autoritetet shoqëruan 19 shtetas ukrainas, të moshës 18-26 vjeç, të cilët ishin viktima të kësaj veprimtarie kriminale.

Për të dokumentuar aktivitetin e rrjetit, u sekuestruan:

18 laptopë

23 pasaporta udhëtimi

4 karta identiteti

23 aparate celularë

Të gjitha pajisjet do të analizohen nga Instituti i Policisë Shkencore në Tiranë për të zbuluar të dhëna të mëtejshme mbi rrjetin kriminal.