Trafiku Kosovë-Shqipëri/ Pistoleta me klering - Vinin nga Turqia, modifikoheshin në Ferizaj dhe shkëmbeheshin me kokainë, dyshohet për ...

Ndalimi i 4 personave në maj të këtij viti që në çantë iu gjetën 10 pistoleta solli fillimin e një bashkëpunimi mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Sipas gazetarit Edison Vatnikaj, në procedimet e përbashkëta mes dy vendeve është provuar shitja e armëve të zjarrit ku janë përdorur dhe agjentë të infiltruar.

Për të zbardhur rrjetin e trafikut të armëve, policia shqiptare ka administruar dëshminë e një prej të arrestuarëve në muajin maj të këtij viti dhe ky informacion më pas i është dërguar autoriteteve kosovare.

Nga hetimi është zbuluar se armët vinin nga Turqia si armë sportive dhe më pas në Ferizaj modifikoheshin dhe bëheshin armë zjarri.

Trafikantët përdornin ditën e shtunë dhe të dielë për kalimin në kufi, pasi sipas një marrëveshjeje mes dy vendeve makinat nuk kontrollohen në doganat respektive dhe kjo ishte në favor të trafikatëve.

Shpeshherë armët e zjarrit në Kosovë shkëmbeheshin jo me para, por edhe me kokainë. Këtu futet roli i Euxhenjo Manushit i arrestuar pak ditë më parë në një operacion antidrogë.

Sipas policisë ky i fundit interesohej për armë dhe në shkëmbim jepte kokainë.

Hetimet kanë provuar se në disa episode ai së bashku me persona të tjerë kanë shkuar drejt Kosovës më lëndë narkotike me vete dhe në kthim ata kanë sjell armë zjarri.

Policia e Tiranës po verifikom episode ku armët e sjella nga Turqia disa herë kanë tentuar të trafikoheshin edhe në vendet e tjera fqinje për të cilët nëse provohet do t’i rëndohet akuza e personave nën hetim.

Në dy fazat e operacionit në vendin tonë janë arrestuar 10 persona, e ndërsa në Kosovë 13 shtetas.