Shqipëria, një ndër vendet më me shumë obezë në Europë

Përqindja e personave mbi 16 vjeç që konsideroheshin mbipeshë (përfshirë kategoritë para-obezë dhe obezë) në vitin 2022 ishte 50.6% në Bashkimin Europian, sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga Eurostat. Në këtë grup përfshihet edhe Shqipëria, ku 56.5% e popullsisë mbi këtë moshë rezulton të jetë mbipeshë. Ky tregues e rendit Shqipërinë në vendin e 11-të në Europë, duke u klasifikuar si një ndër vendet me nivelin më të lartë të mbipeshës dhe obezitetit në kontinent.

Në rang europian, vendi me përqindjen më të lartë të popullsisë mbipeshë është Malta, ku 62% e banorëve mbi 16 vjeç konsiderohen mbipeshë. Në kontrast, vendet me përqindjen më të ulët të popullsisë mbipeshë janë Italia, me vetëm 41.3%, Zvicra me 45.2% dhe Franca me 45.4%. Këto vende kryesojnë si më “elegantët” e Europës, sipas klasifikimit të bërë nga Eurostat.

Në rajonin e Ballkanit, Mali i Zi është ndër vendet me treguesin më të ulët të mbipeshës (47%). Në Serbi, ky tregues është 51.8%, ndërsa për shtetet e tjera të rajonit të dhënat mungojnë. Megjithatë, sipas raportimeve të mëparshme, Maqedonia e Veriut e kishte këtë tregues në nivelin 55% gjatë vitit 2017.

Në Shqipëri, diferenca midis gjinive është e dukshme. Sipas të dhënave, 62.3% e meshkujve shqiptarë mbi 16 vjeç konsiderohen mbipeshë, duke qenë ndër më të lartët në Europë. Nga ana tjetër, 50.9% e femrave shqiptare rezultojnë të jenë mbipeshë.

Të dhënat e Eurostat bazohen në indeksin e masës trupore (BMI), i cili është një metodë standarde për të kategorizuar peshën e një individi bazuar në masën trupore dhe lartësinë. Indeksi BMI ndan popullsinë në disa kategori: nënpeshë (BMI më pak se 18.5), peshë normale (BMI nga 18.5 deri në më pak se 25), para-obezë (BMI nga 25 deri në më pak se 30) dhe obezë (BMI 30 ose më shumë). Kategoria e mbipeshës përfshin individët para-obezë dhe obezë, duke filluar nga një BMI prej 25 ose më shumë.