Tirana humbet një nga mbrojtësit e saj! Shuhet kreu i Shoqatës “Tirana”! Homazhet në nder të Arben Tafajt, të mërkurën në Pallatin e Kongreseve
Kryeqyteti humbi këtë të martë një nga mbrojtësit e saj. Është ndarë këtë të martë nga jeta kryetari i shoqatës “Tirana”, Arben Tafaj.
Lajmin e trishtë e bëri të ditur familja, ndërsa mësohet se homazhet në nder të të ndjerit do të zhvillohen të mërkurën tek Pallati i Kongreseve nga 09.30-11.00, dhe më pas trupi i të ndjerit do të përcillet për në varrezat e Shish-Tufinës në Tiranë.
63-vjeçari ka qenë në ambientet e shtëpisë së tij kur është rrëzuar aksidentalisht në shkallë dhe ka ndërruar jetë.
Fillimisht lajmin për humbjen e tij e njoftoi mjeku Ilir Alimehmeti, i cili me anë të një postimi në rrjete sociale shprehu ngushëllime për familjen Tafaj, e cila do ta konfirmonte ndarjen nga jeta të të dashurit të saj pak orë më vonë.
“Me hidhërim të thellë u njoftova për ndarjen e papritur nga jeta të z. Arben Tafaj, i cili nuk ishte vetëm një mik, por edhe një qytetar elitar, një aktivist i vazhdueshëm dhe një politikan i spikatur me tone gjithnjë të moderuara qytetare.
Humbja e Benit është patjetër humbje e hidhur për familjarët dhe miqtë e tij, por është humbje e madhe edhe për qytetarët dhe qytetin e Tiranës! Ngushëllime të ndjera familjes Tafaj për humbjen e një njeriu të dashur, të urtë e të matur. Do të na mungosh Beni”, shkruan Alimehmeti.
Edhe Kuvendi i Shqipërisë mbajti sot një minutë heshtje në nder të Arben Tafajt.
“Do të doja të nderonim një figurë të shquar që u nda nga jeta. Tirana humbi sot një nga mbrojtësit e saj. Qytetaria tiranase humbi një pjesë të zërit të frymës/ Shoqata Tirana humbi drejtuesin, shoqërua humbi një njeri me vlerë dhe plot energji për qytetin e tij. Ikja e Arben Tafajt është një humbje jo vetëm për bashkëshorten, fëmijët, miqtë e të dashurit, por edhe për çdo tirons, tiranas e kryeqytetas, që ai i përfaqësoi denjësisht”, tha kryeparlamentarja Elisa Spiropali.
KUSH ISHTE ARBEN TAFAJ?
Arben Tafaj, me profesion ekonomist (është diplomuar në Fakultetin Ekonomik në vitin 1986), rrugëtimin për të garuar por postin më të lartë të bashkisë së madhe, atë të Tiranës, e ka me rekordet më të pasura se të gjithë rivalët e tij të shpallur e të pashpallur ende deri tani nga partitë, por dhe të pavarurit.
Arben Tafaj ishte zyrtari i zgjedhur me votat e qytetarëve me tre mandate radhazi, si këshilltar bashkiak.
Kryetari i njësisë bashkiake nr. 8, karrierën politike e nisi në zgjedhjet e vitit 2003.
Së bashku me disa miq të tij, drejtonte shoqatën “Tirana”, një grupim civil që për gjithë këto vite ka promovuar vlerat e trashëgimisë kulturore dhe asaj qytetare të qytetit, të cilën e ka shikuar dhe si një instrument për të komunikuar me shoqërinë dhe me organizma të rëndësishme homologe komunitare.
Pikërisht në krye të shoqatës “Tirana”, Arben Tafaj, krijoi profilin e një drejtuesi që mbrojti me forcë vlerat e njerëzve që përfaqësonte.
Këtë e ka bërë edhe pasi u zgjidh si kryetar i njësisë bashkiake numër 8 me propozimin e shoqatës “Tirana”. Edhe pse nuk është bërë shumë bujë, Arben Tafaj, ka qenë propozuesi dhe lobuesi direkt i ndërtimit të pedonales në rrugën “Murat Toptani”, kur dolën themelet e Kalasë së vjetër të Tiranës.
Në atë kohë, Tafaj grupoi së bashku si zyrtarët e bashkisë së drejtuar nga Edi Rama dhe qeveritarët e Berishës për të ndaluar kalimin e automjeteve në një vend me trashëgimi historike për kryeqytetin.
“Murat Toptani” është e vetmja rrugë në Tiranë ku nuk lejohet qarkullimi i makinave.


