Hoxha: Propozojmë rritje me 6.2 miliardë lekë të fondit për mirëmbajtjen e rrugëve
Deputeti i PD-së Flamur Hoxha propozoi sot përmes një amendamenti rritjen me 6.2 miliardë lekë të fondit për mirëmbajtjen e rrugëve për vitin 2025.
Në fjalën e tij në seancën e sotme plenare, Hoxha tha se këto fonde duhet të shkojnë për të përmirësuar aksesin e banorëve në zonat malore.
“Propozoj trefishimin e fondit të mirëmbajtjes së rrugëve. Fondi për mirëmbajtjen e rrugëve nga 3.7 miliardë lekë që është planifikuar të shkojë në 9.9 miliardë lekë. Efektet financiare të përballohen nga ulja me të njëjtën masë të shpenzimeve operative qeveritare, kontratave koncesionare PPP dhe projekteve joprioritare”, tha ai.
Kjo, sipas tij, për dhënien e mundësisë për një jetë normale të çdo shqiptari, në çdo skaj të Shqipërisë.
“Nisur nga nevoja e dukshme për financime mirëmbajtje të infrastrukturës rrugore, braktisja qeveritare gjatë 11 viteve të fundit e shumë akseve nacionale dytësore, kryesisht rrugëve rurale, nisur nga kostot që braktisja e mirëmbajtjes së duhur sjell te individët e sidomos sipërmarrja vendase, nisur nga braktisja dhe zbrazja e shumë fshatrave si pasojë e mungesës dhe mirëmbajtjes së rrugëve, dhe nga shqetësimet e të gjithë deputetëve përfshirë mazhorancës, që kanë sjellë në çdo seancë parlamentare problemet e zgjedhësve, propozoj trefishimin e fondit për mirëmbajtjen e rrugëve”, tha ai.
