VIDEO/ Dosja "5D", Këlliçi në SPAK për të sqaruar akuzat: Vjedhje galopante në bashkinë e Tiranës. SPAK të sqarojë kush është "Lali Eri"

Anëtari i kryesisë së PD-së, Belind Këlliçi është paraqitur ditën e sotme në SPAK.

Mësohet se, ai është thirrur në prokurorinë e Posaçme për të dhënë dëshmi në lidhje me skandalin e drejtorëve të bashkisë së Tiranës ‘5D’, të cilët janë vënë në pranga para 1 viti.

Këlliçi pritet të japë dëshminë dhe faktet e tij në lidhje me denoncimin e ‘5D’, pasi gjatë kësaj kohe janë paraqitur dokumente të reja.

Anëtari i kryesisë së PD-së pas daljes nga SPAk theksoi se ka dëshmuar  për skandalin e vkjedhjeve në Bashkinë e Tiranës, si dhe do të dorëzojë materiale të reja në ndihmë të këtyre hetimeve.

“Një mëngjes krejt i zakonshëm në vijim të punës 13 mujore lidhur me vjedhjen galopante në Bashkinë e Tiranës.

Sot isha për të dhënë dëshminë lidhur me aferën me skemën “5D”, do të vazhdojmë me akuzat tona dhe nuk do të ndalemi për asnjë sekondë.

Kam 13 muaj që e bëj publike në mënyrë të përditshme aferat korruptive dhe vjedhjen galopante në Bashkinë e Tiranës.
Sot u paraqita në SPAK, në vijim të kërkesës së prokurorit të çështjes së dosjes 5D, z. Klodian Braho, ku pata një seancë pyetjesh dhe përgjigjesh me oficerin e caktuar prej tij të Policisë Gjyqësore, në lidhje me dosjen famoze 5D.

Për ato pjesë që janë pjesë e sekretit hetimor dhe që më është kërkuar nga organi i akuzës që të mos i bëj publike, sigurisht që nuk kam ndërmend t’i bëj publike. Por padyshim dua të ndalem pak te kërkesa ime dhe te deklaratat e mia të dhëna edhe para organit të akuzës.

Vijoj t’i qëndroj fort kërkesës për zbatimin e të gjithë rekomandimeve të Gjykatës së Apelit të Posaçëm, të dhëna para pak muajsh, në të cilat kërkohet hetimi i shtetases Jona Bejko, e cila ka deklaruar në komunikimet e saj private, tashmë të bëra publike, se hoteli me vlerë 50 milionë euro në Durrës ka si aksioner “Lali Erin”. Të na e sqarojë organi i akuzës kush është “Lali Eri” për të gjithë qytetarët shqiptarë që ende nuk e dinë.

Kam kërkuar në mënyrë të veçantë të hetohet roli i prestanomes, administratori Nestor Muhametllari, i cili është i vetmi prestanomë de facto, që është i lirë dhe ndaj të cilit nuk ka ende asnjë masë. Duhet të hetohet cili ka qenë roli i këtij individi, pasi mendoj se dëshmia e tij mund të shërbejë si një moment kyç për zbardhjen e kësaj afere.

Vijoj ta kritikoj SPAK-un në raport me çështjen e inceneratorit të Tiranës. Nuk kam si të mos e kritikoj, kur sot që flasim, ne që jemi këtu paguajmë 80 mijë euro në ditë për një incenerator që nuk ekziston. Kanë kaluar 4 vite nga hapja e kësaj çështjeje, dhe prokuroria ende ka frikë t’i përmendë emrin Erion Veliajt", u shpreh Këlliçi.