Mehmetaj: Buxheti 2025, rritje minimale për arsimin

Kryetarja e Komisionit të Arsimit dhe anëtarja e Kryesisë së Partisë së Lirisë, Kejdi Mehmetaj u shpreh sot se buxheti 2025 është antisocial dhe i shërben interesave të PPP-ve.

“Edhe në 2025 qeveria Rama nuk reflekton në buxhet zgjidhje për mjerimin e thellë në të cilën i ka futur të gjithë nivelet e edukimit në Shqipëri. Në kushtet kur rezultat e PISA-s na treguan një rënie drastike të performancës në të gjitha testet. Atëherë kur rezulton nga raportet se 2830 nxënës kanë braktisur shkollat në vitet 2021-2023. Kur numri i mësuesve në shkolla ka rënë me 291 për vitin 2023-2024″, u shpreh Mehmetaj.

“Buxheti i korrupsionit ndan vetëm 2.34% të PPB. As me veten e saj nuk krahasohet në 2013-2014 apo qoftë 2018. Edhe kjo rritje minimale me vitin e kaluar, vetëm reflekton pagat e mësuesve”, tha ajo.

Sipas, Mehmetajt “arsimi është themeli i çdo shoqërie të suksesshme dhe investimi në të është investim në të ardhmen”.

“Është e rëndësishme të theksojmë se buxheti i arsimit nuk është vetëm një numër, por një reflektim i prioriteteve tona si shoqëri. Nëse dëshirojmë të krijojmë një të ardhme më të ndritur për brezat e ardhshëm, duhet të tregojmë angazhim dhe përgjegjësi. Duhet të angazhohemi për të rritur investimet në arsimin tonë. Le të jemi kritikë dhe të kërkojmë një buxhet që i shërben interesave të nxënësve, mësuesve dhe shoqërisë sonë si një e tërë. Le të punojmë së bashku për të siguruar që arsimi të jetë prioritet dhe që të gjithë të kenë mundësinë për të arritur potencialin e tyre të plotë”, tha Mehmetaj.