Qose takon Abbott: Synojmë komunikimin me videokonferencë të burgjeve me gjykatat

 Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, Nicholas Abbott u prit sot në mjediset e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve nga drejtori i këtij institucioni Klevis Qose me të cilin bisedoi në bashkëpunimin e deritanishëm dhe perspektivat për përmirësimin e mëtejshëm të sistemit penitenciar shqiptar.

Gjatë takimit, u theksua roli i rëndësishëm që mbështetja e Mbretërisë së Bashkuar ka pasur në avancimin e sistemit penitenciar në vendin tonë, veçanërisht në përmirësimin e infrastrukturës, logjistikës dhe burimeve njerëzore.

Ndër çështjet e diskutuara ishin projektet e reja që synojnë modernizimin e sistemit, duke përfshirë implementimin e sistemeve të komunikimit virtual, si videokonferencat mes institucioneve penitenciare dhe gjykatave. Ky projekt do të ndihmojë në rritjen e sigurisë, uljen e kostove dhe lehtësimin e proceseve gjyqësore.

Në takim, Qose vlerësoi gjithashtu përparimin e sistemit penitenciar shqiptar drejt një modeli modern, i cili jo vetëm garanton sigurinë, por gjithashtu fokusohet në rehabilitimin dhe riintegrimin e të dënuarve në shoqëri.

“Mbështetja e Mbretërisë së Bashkuar ka sjellë ndryshime të prekshme për sistemin tonë penitenciar. Ky partneritet është një dëshmi e fuqisë së bashkëpunimit dhe përpjekjeve të përbashkëta për të ndërtuar një sistem të sigurt,” u shpreh Qose.

Ambasadori Abbott, nga ana e tij, konfirmoi angazhimin e vazhdueshëm të Mbretërisë së Bashkuar për të mbështetur financiarisht në këtë proces. Ai vlerësoi masat dhe reformat që po zbatohen, duke nënvizuar rëndësinë e partneritetit dypalësh në arritjen e rezultateve të qëndrueshme.

Ky takim përforcoi angazhimin e ndërsjellë për të forcuar më tej bashkëpunimin në interes të përmirësimit të sistemit penitenciar dhe të respektimit të të drejtave të njeriut.