Avaritë nga reshjet, përmirësohet me 87% situata e furnizimit me energji elektrike
Për shkak të motit të keq, me stuhi ere dhe reshje shiu intensive që përfshiu vendin mbrëmjen e djeshme, rrjeti elektrik i shpërndarjes u dëmtua në disa zona, kryesisht në linjat ajrore të zonave rurale.
Operatori i Sistemit të Shpërndarjes bën të ditur se ka marrë të gjitha masat për organizimin e grupeve të avarive në terren, si dhe angazhoi 1200 elektricistë.
“Prej mesnatës e deri në orët e paradites së sotme është punuar në të gjitha drejtimet dhe me kujdes, aq sa lejonin kushtet e motit, duke zbatuar sigurinë teknike në terren. N/stacionet Pukë, Gramsh (Gjirokastër) dhe linja 35kV e Lanabregasit u vendosën në punë pas angazhimit të vazhdueshëm gjatë natës”, informoi OSHEE.
Sipas planit të masave, vëmendje të veçantë kanë objektet e rëndësisë së veçantë si spitalet e hidrovorët ku furnizimi me energji elektrike vijoi pa ndërprerje.
“Bazuar në informacionin e orës 11:30, kemi përmirësim me 87% të situatës të furnizimit me energji elektrike. Vijon puna për eliminimin e tē gjithë defekteve në zonat e prekura nga avaritë dhe rikthimin e energjisë tek të gjithë abonentët”, deklaron OSHEE
