“Thuaji jo armëve”, mbahet aktiviteti me të rinjtë në Elbasan
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme, Policinë e Shtetit dhe Woman Center for D&C-Alb, organizuan dje aktivitetin e fundit informues, në Elbasan, me fokus te të rinjtë dhe dhuna me bazë gjinore.
Ky aktivitet vjen në kuadër të ndërgjegjësimit të qytetarëve shqiptarë mbi rreziqet dhe keqpërdorimin e armëve të zjarrit dhe pas një sërë veprimtarish sensibilizuese me të rinjtë.
Në aktivitet morën pjesë kryetari i bashkisë, Gledian Llatja, Ambasadori i OSBE-së, Michel Tarran, Drejtori i Policisë Elbasan, Fatmir Hoxha, drejtuesi i Prokurorisë, Kreshnik Ajazi, si dhe dhjetëra të rinj dhe të reja.
“Fuqizimi i të rinjve është një prioritet i padiskutueshëm” theksoi Llatja, duke nënvizuar se këshillat rinorë dhe procesi i buxhetimit me pjesëmarrje janë shembuj konkretë të angazhimit për të ndërtuar ura komunikimi mes brezave dhe institucioneve.
Ambasadori i OSBE-së, Michel Tarran, vlerësoi rolin e institucioneve lokale dhe të rinjve në zbatimin e projekteve që forcojnë sigurinë dhe reduktojnë dhunën.
Ky takim shënon një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një platforme të qëndrueshme bashkëpunimi, ku të rinjtë jo vetëm që dëgjohen, por edhe përfshihen aktivisht në vendimmarrje, duke ndikuar drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së jetës në qytet.
Sipas kryebashkiakut Llatja “një Elbasan më i sigurt dhe gjithëpërfshirës është synimi ynë i përbashkët”.
Prezenca e OSBE njoftoi se, Teatri “Skampa” ishte dëshmitar i bashkëpunimit organik dhe ndërveprimit të gjallë, që vetëm rinia ka fuqinë ta nxisë, duke përhapur ide, duke sjellë mesazhe të fuqishme për të ndryshuar mendësi dhe zakone. Të rinjtë kontribuuan me mesazhe për “Murin e kujtesës”, një instalacion që do të vendoset në një nga rrugët e Elbasanit.
Diskutimet u përqendruan në rritjen e kapaciteteve institucionale dhe ndërtimin e partneriteteve strategjike për të përmirësuar sigurinë dhe për të fuqizuar rolin e të rinjve në proceset vendimmarrëse.
Në aktivitet mori pjesë edhe artisti Big Basta me këngën e fushatës “Leji armët”, si edhe mësues, anëtarë të komunitetit dhe të organizata të shoqërisë civile.
Veprimtaria ishte pjesë e projektit “Asistencë për autoritetet e Republikës së Shqipërisë për uljen e rrezikut të përhapjes së armëve dhe keqpërdorimit të armëve të vogla dhe të lehta”, i cili zbatohet nga Prezenca e OSBE-së me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, Gjermanisë dhe Francës.
